Prokuroria kërkon dëshmi për krimet e serbëve në Prizren

Prokuroria Speciale e Kosovës po kërkon dëshmitarë që kanë mundur ta shohin rastin e vrasjes së dy të rinjve në Ortakoll të Prizrenit. Bëhet fjalë për vrasjen që ka ndodhur më 29 mars të vitit 1999.

Lajme

27/02/2014 13:00

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) u ka bërë apel atyre që kanë parë rastin e marrjes, dhunës dhe vrasjes së dy të rinjve në Prizren në mars të vitit 1999 nga paramilitarët serbë, të paraqiten dhe t’i japin informatat që mund t’i kenë:

“Më 29 mars 1999 rreth orës 09:15 të mëngjesit, një radhë e refugjatëve ishte ndaluar nga paramilitarë serbë përpara Llamellës B/2, rruga “11 marsi” në Ortakoll, Prizren”.

“Dy individë dyshohet të kenë marrë nga një traktor dy djem të rinj të cilët ishin me familjet e tyre dhe i kishin rrahur me kondak të automatikut derisa dy djemtë ishin alivanosur. Pastaj i kishin tërhequr zvarrë deri në fabrikën e ushqimit “Voqar” në Prizren dhe i kishin vrarë”.

“Nëse ndonjë person ka informata lidhur me këtë ngjarje, përfshirë identitetin e këtyre dy djemve apo familjeve të tyre, apo që ka qenë dëshmitar i rastit, lusim ta kontaktoj zyrën e PSRK’së”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga EULEX.