Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që të akuzuarit për vrasjen e policit Shemsi Gashi, që kishte ndodhur në mars të vitit 2015 në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme

21/02/2018 17:51

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, për herë të dytë është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, ku të akuzuar janë Vesel Gjinovci, Kujtim Bejiqi, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku.

Prokurori Armend Hamiti, ka deklaruar se të akuzuarit Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi ngarkohen me veprën penale të vrasjes së rënd në bashkëkryerje.

Hamiti, ka deklaruar se prokuroria tani për dhënie të ndihmës në kryerjen e vrasjes, i akuzon Vesel Bunjakun, Adonis Gashin dhe Robert Gashin.

Ndërsa, sipas tij, për shtytje në vrasje, akuzohen Ramadan Gashi, Muja Gashi dhe Agron Gashi.

Prokurori në gjykatore deklaroi se motivi i kësaj vrasje ka qenë kontesti pronësor në mes të dy familjeve.

Avokati Skender Musa, mbrojtësi i të akuzuarit Vesel Gjinovcit, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar nga trupi gjykues që për të mbrojturin e tij të merren parasysh rrethanat lehtësuese gjatë matjes dhe vendosjes së sanksioneve penale.

I akuzuari Vesel Gjinovci, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se e mbështet avokatin e tij, duke shtuar se është penduar për atë që ka ndodhur, pasi që ka qenë i mashtruar dhe i detyruar, ndërsa i ka kërkuar falje familjes së dëmtuar.

Më pas fjalën përfundimtare, e ka dhënë avokati Behar Ejupi, mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Bejiqi, i cili ka deklaruar se trupi gjykues nuk duhet t’i falë besimin mbrojtjes së të akuzuarit Vesel Gjinovci, pasi që për të mbrojturin e tij, nuk është vërtetuar se i njëjti e ka përcjell viktimën Shemsi Gashi.

Në fjalën përfundimtare, i akuzuari Kujtim Bejiqi, ka deklaruar se mbështet avokatin dhe se ato që ka thënë i akuzuari Vesel Gjinovci, për të janë të pavërteta.

Avokati Berat Tmava, i cili e ka zëvendësuar avokatin Bajram Tmava, mbrojtësin e të akuzuarit Ramadan Gashi, ka deklaruar se mbesin pranë fjalës përfundimtare të dhënë më parë, e në të cilën ishte kërkuar lirimi i klientit të tij, me pretendimin se nuk ka prova që ai ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Deklaratën e mbrojtësit të tij, e ka përkrahur i akuzuari Ramadan Gashi.

Avokati Mexhid Syla, mbrojtës i Muja Gashit, avokati Haxhi Millaku, mbrojtës i Agron Gashit, avokatja Florije Drevinja, mbrojtëse e Adonis Gashit, avokati Fanol Krasnqi, i cili e ka zëvendësuar avokatin Ramiz Krasniqi, mbrojtës i Robert Gashit, kanë kërkuar që të lirohen nga aktakuza të mbrojturit e tyre, pasi që siç kanë thënë, prokuroria nuk ka arritur të argumentojë aktakuzën me prova dhe nuk është provuar fajësia e të mbrojturve të tyre.

Me fjalën përfundimtare të avokatëve janë pajtuar edhe të akuzuarit duke deklaruar se ata fare nuk kanë të bëjnë me këtë vrasje.

Seanca për shpalljen e aktgjykimit për këtë rast është caktuar më 26 shkurt 2018, me fillim nga ora 09:00.

Ndryshe, në seancën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar, ishte paraparë të shpallej aktgjykimi në këtë rast, mirëpo gjykata kishte vendosur që ta rihap gjykimin.

Arsyet e rihapjes së këtij gjykimi, sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Selimaj, ishin se në fjalën përfundimtare të të akuzuarit Vesel Gjinovci, i cili qysh në fazën hetimore e kishte pranuar fajësinë, janë përmendur disa elemente që sipas saj, duhej të sqaroheshin.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në vitin 2015, shumica prej tyre familjarë të të ndjerit Shemsi Gashi, lidhur me vrasjen e këtij të fundit.

Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi akuzoheshin nga prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Gjinovci e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar dhe i kishte kërkuar falje familjarëve të të ndjerit, ndërsa në fillim të muajit shkurt të këtij viti, trupi gjykues kishte vendosur që të bëjë revokimin e vendimit për pranimin e fajësisë, ku i është mundësuar edhe dhënia e mbrojtjes të akuzuarit para trupit gjykues.

Sipas prokurorisë, arsyeja që kishte çuar deri te kjo vrasje ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit, konkretisht për një parcelë, pronësore prej 40 ari, në “Lagjen e Spitalit”, në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku kishin shkuar në Brezovicë, ku kishin planifikuar vrasjen e rreshterit Gashi.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Vesel Gjinovci e kishte njoftuar Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin, ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i kishte premtuar si shpërblim 5000 euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e lagjes “Mati”, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nëpër të cilën udhëtonte ai./Betimiperdrejtesi/