Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve për vrasje të rëndë, mbrojtja lirimin e tyre

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që të akuzuarit për vrasjen e Mensur Rashicës, në gusht të vitit 2012, Ramadan Osmani, Besnik Brahimi, Afrim Kalludra dhe Adem Shabani, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme

16/11/2017 21:20

Këtë kërkesë, e ka bërë të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja e rastit Dulina Hamiti, ku është dhënë fjala përfundimtare, në rigjykimin e këtij rasti, ku katër të akuzuarit ngarkohen me dy vepra penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje e rëndë në tentativë”.

Në këtë proces gjyqësor, i akuzuar për vrasje të rëndë ka qenë edhe Xhabir Menxhiqi, por i cili më vonë ka ndërruar jetë, si dhe Ali Menxhiqi, i cili gjendet në arrati.

Prokurorja Dulina Hamiti, në fjalën e saj përfundimtare, tha se të gjithë të akuzuarit kishin pasur role të planifikuara më parë dhe ishin marrë vesh për kryerjen e këtyre veprave penale.

Po ashtu, prokurorja Hamiti kërkoi që i akuzuari Adem Shabani, i cili në gjykimin e parë ishte liruar nga akuza, të dënohet, pasi sipas saj, edhe ai kishte qenë pjesëmarrës në vrasje.

Fjalën përfundimtare të prokurores e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Tahir Rrecaj.

Avokati Rrecaj kërkoi nga gjykata që katër të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, për shkak të shkallës së lartë të dashjes, kryerjes së veprës penale me paramendim, vrasjen e një personi, tentim  vrasjen e dy të dëmtuarve, si dhe rrezikimin e një numri të madh të personave.

I njëjti kërkoi që akuzuari, i cili gjendet në arrati Ali Menxhiqi, të kërkohet që të ekstradohet në Kosovë.

“Sipas informacioneve Ali Menxhiqi fillimisht ishte arrestuar në Francë, ku edhe është gjykuar, pastaj ka kryer disa vepra të rënda penale në Zvicër ku edhe po e vuan dënimin, Është burgosë për vepra penale që lidhen me narkotikë. Edhe pse autoritetet e Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar ekstradimin, mirëpo, kërkesa ka pasur mangësi. MD-ja ka kërkuar informacione nga kryeprokurori për vendimin për paraburgim për Ali Menxhiqin, por nuk ka marrë përgjigje. Meqenëse është fjala për një person të rrezikshëm, kërkoi nga ky trup gjykues që urgjentisht të ndërmerr masa dhe hapa për ekstradimin e tij në Kosovë”, tha avokati Rrecaj.

Kurse, mbrojtësit e katër të akuzuarve kanë kërkuar nga gjykata që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza.

Avokati Mahmut Halimi, mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Osmani, kërkoi nga gjykata që Osmani të lirohet nga akuza, pasi sipas tij, asnjë provë e vetme nuk do të mund të vërtetojë fajësinë e tij.

Hamiti tha se familja Osmani ishte në gjendje edhe me tradita kanunore dhe fetare që t’iu betohet familjarëve të të ndjerit se nuk e kishte kryer këtë vepër penale.

“Kërkojë nga gjykata që ta lirojë nga të gjitha pikat e akuzës, sepse në asnjë provë të vetme nuk vërtetohet fajësia e tij. Jam i bindur se nuk do të përsëritën lëshimet e gjykimit të kaluar. Është në dorën e prokurorisë të vërtetojë se a ishte Osmani përcjellës apo “argat” i familjes Rashica. Klienti im nuk e ka ditë që vetura e tij do të keqpërdorët për një rast kriminal. Mirëpo, nëse gjykata e gjen fajtor për ndonjë veprim për shkak që e kishte dhënë një veturë të cilën të tjerët e kishin keqpërdorë, atëherë lus që t’ia japë një dënim më të butë”, tha në fjalën përfundimtare avokati Halimi.

I akuzuari Ramadan Osmani mbështeti fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, dhe i njëjti tha se nuk kishte të bënte asgjë me këtë rast dhe se ai nuk ishte personi që në çfarëdo mënyre kishte marrë pjesë në kryerjen e veprës penale.

“Nëse gjykata gjen prova, ndonjë shenjë të gishtave apo çfarëdo qoftë, atëherë le të më dënoj me 50 vjet, jo me 25”, tha i akuzuari Osmani.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Brahimi, avokati Gani Rexha tha se aktakuza ishte e paqëndrueshme dhe e bazuar në prova të papranueshme. I njëjti kërkoi nga gjykata që në mungese të provave, Brahimin ta lirojë nga akuza.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Kalludra, avokati Hasan Jashari kërkoi aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.

“Trupi gjykues gjatë gjithë seancave nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e të mbrojturit tim. I ndjeri Xhabir Menxhiqi ka deklaruar se unë e kam kryer veprën penale dhe të tjerët nuk kanë faj. Si mund të akuzohet dikush për një vrasje kur nuk ka asnjë motiv për kryerjen e kësaj vepre penale” tha avokati Jashari.

Fjalën e tij e mbështeti edhe i mbrojturi i tij Afrim Kalludra, i cili nuk e mohoi se kishte qenë në vendin e ngjarjes në ditën kritike, por mohoi të kishte qenë pjesëmarrës në vrasje.

“Mu më ka thirr Ali Menxhiqi me ja vozit babën me veturë. Me pas ditë që m’thirr për me vra dikën, kurrë në jetë nuk kisha shku. Unë kam tregu se kush e ka kry vrasjen. Unë as sod nuk e mohojë se Ali dhe Xhabir Menxhiqi kanë kryer veprën penale”, tha i akuzuari Kalludra.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Adem Shabani, avokati Mexhit Syla, ka kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.

“Unë i kam shprehë ngushëllime familjes Rashica për rastin që ka ndodhur. I mbrojturi im duhet të lirohet nga akuza, sepse në asnjë provë nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale. Kemi të bëjmë vetëm me dyshime dhe me supozime” tha avokati Syla.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues Suzana Cerkini, njoftoi palët se shpalljen e aktgjykimit do ta bëjë me 21 nëntor 2017, në ora 14:30.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim, me 26 tetor 2015, pasi që Gjykata e Apelit, kishte gjetur shkelje gjatë gjykimit të shkallës së parë dhe kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2013, Xhabir Menxhiqin e kishte dënuar me 40 vjet burgim, Ramadan Osmanin me 25 vjet burgim, Besnik Brahimin me 23 vjet burgim, Afrim Kalludrën me 21 vjet burgim, ndërsa Adem Shabanin e kishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, në gusht të vitit 2012, në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë në Babimoc, pas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje me Ali Menxhiqin, i cili gjendet në arrati, nga motivet e ulëta dhe me dashje direkte kanë privuar nga jeta, Mensur Rashicën.

Të akuzuarit, gjithashtu kanë tentuar ta privojnë nga jeta edhe të dëmtuarin, Maliq Rashica dhe po ashtu kanë vënë në rrezik jetën e bashkëshortes së tij, Shehide Rashica.

Sipas prokurorisë, derisa dhëndri i tyre-tani i ndjeri Mensur Rashica, ngiste veturën, të akuzuarit Ali Menxhiqi dhe Ramadan Osmani me vetura i dalin në pritë dhe ia bllokojnë rrugën duke e detyruar të ndalet. Pastaj nga mbrapa vjen me veturë edhe Xhabir Menxhiqi, të cilën e drejtonte Afrim Kalludra, me ç’rast nga vetura del Xhabir Menxhiqi me pushkë automatike. Po ashtu, nga veturat dalin edhe Ali Menxhiqi, Ramadan Osmani dhe Adem Shabani dhe iu ofrohen veturës së tani të ndjerit Mensur Rashica, kurse Afrim Kalludra dhe Besnik Brahimi i presin në veturë.

Tutje, sipas aktakuzës, Xhabir Menxhiqi kishte shtënë nga afërsia me pushkë automatike, ndërsa Ali Menxhiqi kishte shtënë disa herë me revole me ç’rast kishte qëlluar Mensur Rashicën, i cili nuk u kishte mbijetuar plagëve./Betimiperdrejtesi/