Prokuroria kërkon dënim ndaj personit që sulmoi hajnin në një objekt fetar në Gjakovë

Prokuroria Themelore e Gjakovës i ka propozuar Gjykatës Themelore që një person të dënohet sipas ligjit, pasi që i njëjti kishte goditur një person që kishte tentuar të kryej vjedhje në një objekt fetar.

Lajme

17/12/2018 13:30

Prokuroria Themelore në Gjakovë, përkatësisht departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.B., për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189, paragrafi 5, të KPRK-së, shkruan lajmi.net.

Sipas aktakuzës, siç bëhet e ditur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri A.B., me datë 15.09.2018, në fshatin Duzhnje, Komuna e Gjakovës, në oborrin e objektit fetarë “Tyrbja e Zenel Dervish Danës”, i ka shkaktuar  lëndime të rënda trupore të dëmtuarit A.A., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte vërejtur duke vjedhur në këtë ketë objekt, i pandehuri e godet me mjet të fortë në kokë duke i shkaktuar thyerje të kockës së kokës.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që i pandehuri të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Lajmi.net/