Prokuroria: Kërkesat për viza thirreshin në ‘Familjen Rugova’

Sipas prokurorit Cansick, nga maji 2011 deri më shkurt 2014, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ukë Rugova ishte drejtues i një grupi kriminal i cili në këmbim të një shume prej 3000-4000 mijë euro siguroi 556 viza Shengen për 526 persona të ndryshëm nga gjithsej 614 aplikacione për vizë sa ishin bërë në ambasadën italiane në Kosovë.

Lajme

25/05/2016 09:22

Pas 26 muaj të hetimeve prokurori i EULEX-it, Allen Cancisck,  erdhi në përfundim se ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë ndaj Ukë Rugovës dhe 19 persona të tjerë për krim të organizuar lidhur me kontrabandë me emigrantë.

Sipas prokurorit Cansick, nga maji 2011 deri më shkurt 2014, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ukë Rugova ishte drejtues i një grupi kriminal i cili në këmbim të një shume prej 3000-4000 mijë euro siguroi 556 viza Shengen për 526 persona të ndryshëm nga gjithsej 614 aplikacione për vizë sa ishin bërë në ambasadën italiane në Kosovë.

Sipas prokurorisë, këto viza ishin afatshkurtra për turizëm 30 ditor dhe të vlefshme deri në 6 muaj.

Aplikacione për viza Shengen, më saktësisht 38 aplikacione për vizë Shengen italiane janë gjetur edhe në bastisjen në vendbanimin e Ukë Rugovës gjatë bastisjeve të urdhëruara nga prokurori i Eulex-it.

Sipas aktakuzës së prokurorit Cansick, Prokuroria Speciale e Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë, një kopje të dosjes së tyre lidhur ku ndër të tjera përfshihet edhe emri i ish-ambasadorit ambasadorin italian në Kosovë, MIchael Giffoni, zyrtarin administrativ, Fawzi Habbib si dhe punonjësi lokal i ambasadës italiane në Kosovë, Florian Petani.

Në raportin e dërguar nga prokuroria italiane janë të përfshira 609 dosje  të vizave. Të gjitha këto dosje janë të bëra në ambasadën italiane në Prishtinë nga periudha 3 gusht 2012 deri më shtator 2013.

Në këtë dosje të pranuar nga prokuroria italiane, përfshihen dy raporte, njëri nga ta është lidhur me ambasadorin Giffoni, ndërsa tjetri është lidhur me Fawzi Habib, shef i shërbimeve konsullore.

Raporti i prokurorisë italiane për Giffonin thotë se dosjet e vizave të aplikuesve kosovarë në Prishtinë,  mund të ndahen në katër kategori, dhe të gjitha këto kategori kishin një të përbashkët, thirrjen në familjen Rugova.

Kategoria e parë e këtyre dosjeve, janë dosjet e nënshkruara nga Ukë Rugova, dhe të adresuara për ambasadorin Giffoni, ndërsa ata që i kërkonin këto viza ishin, të afërm, anëtarë të shërbimit të sigurimit të familjes, dhe asistent teknik.

Kategoria e dytë, gjithashtu përfshin letrat e nënshkruara nga Ukë Rugova dhe te adresuara për ambasadorin, me titullin, “Familja e Presidentit Rugova”. Ndërsa letra përmban një deklaratë të Ukë Rugovës që garantonte se individi që kërkon vizë është i njohur për të dhe se qëllimi i vizitës në itali, ishte turistik.

Kategoria e tretë ishte “Familja e Presidentit Rugova, Shërbimi i Sigurimit”, ndërsa kategoria e katërt, përmbante letrën “Familja Rugova”.

E dhënë interesante e aktakuzës është se kërkuesit kanë qenë nën moshën 25 vjeçare, ndërsa ka pasur raste ku ka pasur edhe të mitur. Në raportin e prokurorisë italiane për Gifonnin thuhet se vizat ishin pranuar jashtë orarit të zakonshëm të punës, si dhe aplikacionet nuk kanë kaluar përmes kanaleve normale të furnizuesit të jashtëm të vizave apo përmes departamentit të vizave në ambasadë.