Prokuroria ia cakton masën e ndalimit prej 48 orëve sulmuesit të Vehbi Kajtazit

Fitim Thaqit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve nga Prokuroria, si i dyshuar për sulmin ndaj gazetarit, Vehbi Kajtazi.

Lajme

15/10/2017 11:00

Kajtazi u sulmua të premten në mesditë në një nga lokalet e Prishtinës, për të marrë më pas edhe trajtim mjekësor.

Avokati i Thaqit, Gazmend Halilaj e ka konfirmuar për lajmi.net se klienti i tij sot eventualisht nesër mund të dal para Prokurorisë.

“Diku mbrëmë rreth orës 24:00 Prokuroria ia ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orëve. Po pres që sot eventualisht nesër paradite ai të del para prokurorisë. Ose nëse ajo bën kërkesë për vazhdim të paraburgimit para gjykatës”, ka thënë avokati i Thaqit.

Halilaj ka mohuar që klienti i tij ta ketë sulmuar Kajtazin për shkrimet e këtij të fundit, duke e cilësuar rastin si të izoluar që ka ndodhur aty për aty.

“Është rast i izoluar që nuk lidhet me kurgjo tjetër, por rast që ka ndodhur aty për aty. Krejt në afekt ka vepruar klienti im nuk e ka njohur më heërt, tek me anë të mediave e ka kuptuar që personi qenka Vehbi Kajtazi”, deklaroi Gazmend Halilaj për lajmi.net

Fitim Thaqi në bazë të disa fotografive nëpër rrjete sociale, u tha se është i afërt me politikanët e lartë të Kosovës.

Ai u dorëzua mbrëmë vonë në polici. /Lajmi.net/