Prokuroria fshin nga ueb faqja akuzat për korrupsion

Vetëm pak ditë i janë dashur Prokurorisë së Shtetit që t’i bie pishman për sa i përket publikimit të aktakuzave për korrupsion në ueb faqen e vet.

Lajme

30/12/2014 19:44

Si raporton KTV, qindra aktakuza ishin bërë publike për gazetarët dhe qytetarët në fund të nëntorit, por ato u larguan nga ueb faqja vetëm pak ditë pas kësaj. Kjo ishte bërë pas shumë deklarimeve të Prokurorisë për transparencë. Por, pas kësaj nuk janë treguar transparentë as kur i është kërkuar arsyetimi zyrtar për këtë nga KTV-ja.

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e PSRK-së, ka sugjeruar që të pyetet Ekrem Lutfiu, zëdhënës në KPK, meqë ajo nuk është kompetente për këtë çështje, transmeton koha.net

Zëdhënësi Lutfiu nuk ka kthyer përgjigje, pavarësisht se kishte thënë se do ta bënte një gjë të tillë, e pasdite e ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur fare.

Kohavisioni ka mësuar se Prokuroria është arsyetuar se po shkelen të dhënat personale me publikimin e këtyre aktakuzave. Por, Agjencia shtetërore për mbrojtjen e të dhënave personale kundërshton këtë dhe thotë se kanë kontaktuar me Prokurorinë, e cila është dashur të konsultohet me këtë Agjenci kur vendosi t’i largojë nga ueb faqja aktakuzat.