Prokuroria e Shtetit ka ngritur akuzë ndaj deputetes Duda Balje

Deputetja Duda Balje pritet që të premten të paraqitet në Gjykatën Themelore të Prizrenit, për shkak të mos deklarimit të pasurisë.

Lajme

12/12/2014 11:35

Duda Balje, deputete në Kuvendin e Kosovës nga komuniteti boshnjak, pritet që të premten të paraqitet në Gjykatën Themelore të Prizrenit, për shkak të akuzës së ngritur nga Prokuroria e Shtetit, për kryerje të veprës penale ‘’mos raportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’, vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës me gjobë dhe burgim prej 6 muajve deri në pesë vjet.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Balje, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, akuzohet se më datë 28 mars 2013, në kohë të papërcaktuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në formularin për deklarimin e pasurisë, ka qenë e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, transmeton kallxo.com.

Duda Balje, ka paraqitur vetëm pagën bazë si deputete në shumën prej 17856 euro, ndërsa në bazë të të dhënave të Kuvendit të Kosovës, është konstatuar se të hyrat vjetore nga Kuvendi për deputeten Duda Balje, janë 24327,19 euro.

Diferenca e mosdeklarimit të pasurisë është 6471,19 euro, diferencë të cilën, deputetja Balje, e merr në cilësinë e deputetes për pjesëmarrje në seancat dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Për të njëjtën vepër penale, në gjykatën e Prizrenit po akuzohet edhe deputeti Nait Hasani.