Prokuroria e ka gati aktakuzën për rastin “Veteranët”, OVL-UÇK nuk di asgjë për ndryshimet

Prokurorisë Speciale të Kosovës iu dha edhe një muaj kohë që aktakuzën për rastin “Veteranët” ta dërgojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. E njëjta në herën e parë ishte tërhequr për përmirësimet dhe plotësimet e nevojshme.

Lajme

27/11/2018 17:05

Prokurorisë Speciale të Kosovës iu dha edhe një muaj kohë që aktakuzën për rastin “Veteranët” ta dërgojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. E njëjta në herën e parë ishte tërhequr për përmirësimet dhe plotësimet e nevojshme.

Po bëhen gati 30 ditë që nga koha kur Gjykata ia kishte aprovuar kërkesën Prokurorisë Speciale për 30 ditë shtesë në aktakuzën për rastin e listave të veteranëve, shkruan lajmi.net.

Ndonëse afati ligjor i përcaktuar po afrohet, e njëjta nuk është dërguar në Gjykatë.

E nga Prokuroria Speciale, po shprehen të bindur se do të respektojnë afatin brenda të cilit aktakuza duhet të dërgohet në Gjykatë.

Sylë Hoxha, prokuror në Prokurorinë Speciale, për lajmi.net tha se aktakuza do të dërgohet brenda afatit të përcaktuar, ndonëse nuk mund të flitet për ditë ose datë.

“Vetëm di me thënë që është duke u punuar, dhe sigurisht që do të respektohet afati ligjor, për ditë e orë nuk mund të flasim”, ka thënë shkurt Hoxha për lajmi.net.

E nga OVL e UÇK-së thonë se nuk janë në dijeni se deri ku ka mbërritur procesi i plotësimit dhe përmirësimit të aktakuzës.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, për lajmi.net tha sot se gjatë ditëve në vijim, pritet të kenë një takim me kryeprokurorin e shtetit, Aleksander Lumezi.

“Nuk jemi takuar ende me prokurorinë. Besoj se shumë shpejt do të takohemi me Lumezin. Deri ku ka shkuar puna me këtë aktakuzë nuk e dimë, krejt mundem  me fol, me gënjy, por nuk jemi në ngjarje. Pasnesër do t’i  dërgojmë letër kryeprokurorit dhe presim që të takohemi edhe me të”, ka thënë Gucati.

Kujtojmë, se Prokuroria Speciale e Kosovës kishte kthyer prapa aktakuzën e dërguar në Gjykatë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranit.

Aktakuzë ishte ngritur ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjagës, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt dhe Xhavit Jasharit. /E.D/Lajmi.net/