Prokuroria e Gjilanit nis hetimet për punësimet partiake në QKMF

Prokuroria Themelore në Gjilan ka filluar hetimet në lidhje me punësimet partiake dhe familjare të LDK-së në konkursin e QKMF-së në Gjilan.

Lajme

17/10/2018 16:14

“Me datë 17 tetor, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Krimeve të Rënda, me vetiniciativë ka filluar hetimin në bazë të artikullit të publikuar në portalin KALLXO.com, “Punësimet partiake dhe familjare të LDK-së në konkursin e QKMF-së në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje, Prokuroria ka njoftuar se zyrtarët komunal të komisionit pranues dyshohet se kanë kryer vepër penale, keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritet zyrtar.

Prokuroria ka njoftuar se ka filluar hetimet lidhur me konkursin e hapur nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit, për të siguruar të gjitha të dhënat, përbërjen e komisionit pranues, kandidatët, kriteret e konkursit si dhe provat tjera eventuale.