Prokuroria e Ferizajt kërkon paraburgim për dy persona

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar paraburgim ndaj dy të pandehurve.

Lajme

22/01/2019 14:48

Prokuroria Themelore në Ferizaj përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur dy kërkesa për caktim të masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër dy të pandehurve, shkruan lajmi.net.

Siç bën të ditur kjo prokurori, me datë 21.01.2019, i pandehuri SH.O., është arrestuar në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar për shkak të veprës penale “Falsifikim i dokumentit” dhe ndaj tij nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se kundër të pandehurit E.H., ka bërë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit sepse ekziston dyshimi i arsyeshëm se tek i pandehuri E.H., janë gjetur sasi narkotike të llojit marihuanë, me peshë 17.54 gram, sasi kjo e ndarë në pesë vende, tri qese dhe dy cigare (xhointa) e të cilën sasi e ka pasur në posedim me qëllim që ta shes apo ta shpërndaj, me të cilën do të kryente veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit i pandehurit E.H., gjendet në ndalim që nga data 21.01.2019 dhe ndaj tij është marrë aktvendim për fillim të hetimeve. /Lajmi.net/