Prokuroria: Agjenti i rremë i AKI-së nuk kishte qasje në dokumentet top sekrete

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin lidhur  raportimet e sotme në lidhje me skandalin e spiunazhit në AKI, ku thuhej se një person me dokument të falsifikuar ka siguruar qasje në dokumente topsekrete.

Lajme

13/12/2018 14:02

“Prokuroria Themelore e Prishtinës, njofton opinionin se personi tani më i arrestuar me inicialet E.J. nuk ka pasur qasje në dokumente apo informata topsekrete, të cilat janë pronë e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), por dyshohet se i njëjti duke e përdorur një dokument – vendim të falsifikuar, i përpiluar më datë 19.02.2018, kinse i lëshuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me të cilin ka tentuar të abuzoj në forma të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, për të cilat tashmë kanë filluar hetimet nga prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Për këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve me datë 12.12.2018.” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Prokuroria thekson se gjatë zhvillimit të hetimeve do të merren informacione dhe prova të cilat do të vërtetojnë se i njëjti e ka përdorur këtë vendim, apo vetëm ka tentuar ta përdorë.

“Andaj, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka bërë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.J., si dhe, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet më tej në njoftim. /Lajmi.net/