Prokurori thotë se të akuzuarit iu gjetën fotografi të Bin Ladenit dhe Lavdrim Muhaxherit

Në fjalën hyrëse të gjykimit ku Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli akuzohen për pjesëmarrje në grup terrorist, prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj tha se në pajisjet elektronike të të akuzuarit Livoreka u gjetën fotografi të Lavdrim Muhaxherit dhe të Osama Bin Ladenit, të dy tani të ndjerë dhe të njohur për aktivitetin e tyre terrorist.

Lajme

15/11/2017 22:34

Këtë deklarim prokurori Blakaj e bëri në fjalën e tij hyrëse të gjykimit ku Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli po akuzohen se iu bashkuan një grupi terrorist.

“Fotografitë që janë propozuar për administrim që lidhen me Arben Livorekën të nxjerra nga pajisjet e tij elektronike do të tregojnë se çfarë ka përfaqësuar i njëjti dhe aty do të shihet se ka fotografi të Lavdrim Muhaxherit, të njohur si njëri nga udhëheqësit e shqiptarëve në Siri si dhe të Osama Bin Ladenit”, tha prokurori Blakaj.

Aktakuza e prokurorisë pretendon se Livoreka ka qëndruar në Siri rreth 8 muaj, kohë gjatë të cilës ka bërë ushtrime me armë dhe pastaj i është bashkuar organizatës “Harausham” (“Ahrah al Sham” me aktakuzën e përmirësuar), e cila sipas prokurorisë vepron në kuadër të organizatës “Al-Nusra”.

Pretendime të ngjashme Prokuroria ka edhe ndaj të akuzuarit Nexhat Behluli.

Sipas aktakuzës, Behluli më 9 mars 2013 nga Aeroporti “Adem Jashari” udhëtoi për në Stamboll, nga ku udhëtoi për në Ankara dhe Hataj të Turqisë e nga aty me taksi ka udhëtuar deri në kufi të Sirisë, ku ka kaluar ilegalisht në qytetin Idlib dhe i është bashkuar organizatës “Al-Nusra”.

Të dhënat e prokurorit Blakaj u kundërshtuan nga avokatët e të akuzuarve që pretendojnë se në këtë rast nuk ka prova që i inkriminojnë të mbrojturit e tyre.

“Gjithçka përputhet në aktakuzë me përjashtim të një ndryshimi interesant dhe të papranueshëm dhe nuk e di se ku mbështetet prokurori kur thotë se i mbrojturi im nuk i është bashkangjitur grupit “Harausham”, por “Ahrar al Sham”, tha avokati i të akuzuarit Livoreka, Muhamet Humolli.

Pretendimet e prokurorit u kundërshtuan edhe nga avokatja Hedije Ademi që mbron Nexhat Behlulin.

Në këtë gjykim çështja e grupit terrorist të cilit iu bashkuan Livoreka e Behluli po vazhdon të mbetet mister.

Përderisa prokurori Blakaj në fjalën e tij hyrëse sqaroi se si organizata “Ahrar Al Sham” ishte organizata që të akuzuarit iu bashkuan, avokati mbrojtës i Arben Livorekës, Muhamet Humolli po pretendon se i mbrojturi i tij ishte bashkuar me grupacionin “Harausham”, formacion ky që nuk figuron në listën e organizatave terroriste.

Prokurori Elez Blakaj në seancën fillestare të këtij rasti, i cili tani është në rigjykim, kishte precizuar aktakuzën duke zëvendësuar emrin e organizatës nga “Harausham” në “Ahrar al Sham”, me pretendimin se ky ngatërrim kishte ndodhur për shkak të përkthimit.

Behluli dhe Livoreka kishin pranuar fajësinë për pjesëmarrje në grupe terroriste sipas aktakuzës së paprecizuar përderisa BIRN kishte zbuluar se në fakt organizata “Harashuam” nuk figuronte askund në listën e organizatave terroriste, e lidhur me këtë organizatë kishin preferuar të heshtnin edhe institucionet përgjegjëse për sigurinë në Kosovë.

Seanca e radhës në këtë gjykim do të mbahet më 20 dhjetor, kur i akuzuari Nexhat Behluli do të paraqesë mbrojtjen tij.

I akuzuarit tjetër i këtij rasti, Arben Livoreka ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Gjithashtu në këtë seancë do të jepet edhe fjala përfundimtare e palëve. /Kallxo.com/