Prokurori i përgjigjet VV-së: Aktakuzën për terrorizëm e kemi bazuar diku tjetër

Prokurori i rastit të sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit thotë se nuk e ka bazuar aktakuzën e tij në provat e ADN-së, të zbuluara së fundmi nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

16/01/2017 21:58

Katër aktivistë të kësaj lëvizjeje akuzohen për terrorizëm në lidhje me këtë rast, ndërsa partia është duke i kontestuar të provat e prezantuara nga prokuroria në aktakuzë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se rezultatet e ADN-së dhe pajisjet e gjetura elektronike nuk ishin prova në të cilat u mbështet aktakuza.

“Kjo rrethanë ka qenë e njohur për prokurorinë edhe para ngritjes së aktakuzës, dhe ne i kemi provat në të cilat e kemi mbështetur aktakuzën”, tha Islami.

Aktakuza ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes u ngrit më 29 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Molliqaj përmes një postimi në Facebook, po pretendon se këto prova mbështesin pafajësinë e aktivistëve.

Nga dokumenti i publikuar nga Molliqaj shihet se nga ekspertiza e Agjensionit të Forenzikës të Kosovës, konstatohet se gjurmët e ADN-së së të pandehurve nuk përputhen me ato të gjetura në vendin e ngjarjes.

Edhe avokatja e njërës nga të akuzuarat për këtë rast, Adea Batushës, Florije Drevinja tha për KALLXO.com se i ka pranuar rezultatet dhe “Ato rezultojnë negative”.

Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, në gusht të vitit të kaluar ishin arrestuar gjashtë persona, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Astrit Dehari, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Atdhe Arifi.

Përveç të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili në rrethana ende të pasqaruara vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /Lajmi.net/