Prokurori Ali Rexha tregon pse e pezulluan nga puna

Për herë të parë pas pezullimit nga detyra, prokurori i Prokurorisë Speciale tregon për RTK-në shkaqet që ai beson se çuan në marrjen e këtij vendimi ndaj tij, nga Komisioni Disiplinor i Prokurorisë.

Lajme

21/01/2018 21:11

3 muaj para pensionimit, Ali Rexha, prokuror në Prokurorinë Speciale, u pezullua nga puna. Kjo u bë me vendim të Komisionit Disiplinor të Prokurorisë.

Në një intervistë për RTK-në, Rexha pretendon se shkak për pezullim ishte nisja e hetimeve parapenale për dy kolegë të tij, prokuroren Sevdije Morina dhe kryeprokurorin e Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Malokun.

Ai i hetonte ata për konflikt interesi, si ish-anëtarë të këshillit prokurorial. Prokurori Rexha thotë se në kallëzimin penal të Prokurorisë Themelore ishin të përfshirë edhe dy persona të tjerë, por që hetimet janë ndërprerë me vendim të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

Pezullimin nga puna për 6 muaj pa pagesë, prokurori Rexha e cilëson të padrejtë dhe thotë se me këtë vendim është trajtuar sikur të ishte larguar nga puna.

Rexha pretendon se në prokurori ka shumë parregullsi, që fillojnë nga keqpërdorimet e veturave e deri tek ato financiare.

Ai nuk pranon të përmendë emra sepse thotë se pas pezullimit, i ka dorëzuar të gjitha dosjet, ndonëse deklaron se ka fakte nëse thirret për të dëshmuar.

RTK provoi të marrë përgjigje për këtë rast nga prokurorët Sevdije Morina dhe Jetish Maloku, por asnjëri nuk iu përgjigj thirrjeve të redaksisë.