Projektligji për Zgjedhjet të enjten në Kuvend

Projektligji për Zgjedhjet do të jetë në rend dite në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet më 27 mars. Kryeparalemntari, Jakup Krasniqi, thotë se ndryshimet janë teknike, por shpreson që mos të përsëriten gabimet që kanë ndodhur në 2010-ën.

Lajme

24/03/2014 13:47

Kryesia e Kuvendit ka vendosur sot që projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të futet në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet të enjten.

Megjithatë, ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet për Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, janë teknike.

“Ligji për zgjedhjet do të hyjë në këtë seancë dhe do ta shikojmë si po zhvillohen procedurat e mëtejshme”.

“Reformë zgjedhore nuk është. Janë bërë disa ndryshime teknike në ligj dhe ndoshta do t’i heq defektet e zgjedhjeve që kanë ndodhur në vitin 2010”.

Ndërsa shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se nuk është vonë që të miratohet Ligji për Zgjedhjet.

“Nuk mendoj që është vonë për arsye se ky tekst është i harmonizuar në mes Grupeve Parlamentare. Normalisht, duhet të kalojë procedurat nëpër komisionet përkatëse.

“Projektligji ka ardhur dhe besoj se nëse nuk ka ndonjë amandament që kërkon kohë për ndonjë procedurë të veçantë, mund të kalojë edhe në procedurë të përshpejtuar.

“Nuk është vonë, sepse edhe njëherë po e themi që ka kohë të shkohet me projektligjin që në javën e parë të qershorit apo të dytën”.

Beqiri thotë se edhe nëse nuk kalon në të njëjtën seancë në të dy leximet, mund të kalojë edhe pas një javë, pasi sipas tij, nuk ka ndonjë urgjencë.

Projektligji për zgjedhjet është votuar në Komisionin për Legjislacion një orë para se të shkojë në Kryesinë e Kuvendit.