Projektligji për pushimin e lehonisë nuk është shumë i qartë

Ndryshimet që janë bërë në projektligjin e punës dhe atë të lehonisë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pritet të sjellin risi sa i përket lehonave të papunësuara dhe pushimeve për baballarët.

Lajme

23/10/2018 08:53

Por organizata të ndryshme të shoqërisë civile vlerësojnë se projektligji në fjalë ka mangësi të mëdha dhe dyshojnë se do të ketë vështirësi në zbatimin e tij, sidomos në sektorin privat.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skendër Reçica, theksoi se për herë të parë prindërit do të kenë mundësi të marrin pushim katër muaj pa pagesë. Ndërsa nënat lehona të papunësuara në gjashtë muajt e parë të lindjes do të marrin një pagë minimale.

“ Risia që do të ketë ky projektligj është se prindërit pas pushimit të lehonisë brenda dy viteve të para të fëmijës kanë të drejtë katër muaj pushim prindëror pa pagesë. Babai i fëmijës ka të drejtën e pushimit dhjetë ditor me pagesë. E veçanta e krejt këtij projektligji është se nënat lehona të papunësuara do të përfitojnë një pagë minimale për gjashtë muajt e parë të lindjes”, ka thënë Reçica.

Reçica theksoi po ashtu se ndryshimet në Projektligjin e punës do të rregullojnë shumë çështje që kanë të bëjnë me respektimin e kontratës nga punëdhënësi.

“Me këtë projektligj do të trajtohen çështjet e kontratës që nga lidhja e saj e deri të shkëputja apo pensionimi i punëmarrësit. Do të trajtohet orari i punës dyzet orë në javë dhe pushimet në përgjithësi”, ka shtuar Reçica.

Ndërkaq, drejtori në Institutin e Hulumtimeve të Avancuara GAP,  Jeton Mehmeti, tha për Radio Kosovën se projektligji për pushimin e lehonisë nuk është shumë i qartë.

“Në dukje të parë sidomos projektligji për pushimin e lehonisë nuk është shumë i qartë dhe lë përshtypje që mund të përdoren disa skenarë të ndryshëm, varësisht nga interpretimet që mund të kenë. Prandaj do të donim që ky ligj të jetë më i qartë”, ka thënë Mejmeti.

Sipas Mehmetit, edhe ligji aktual që është në fuqi është i favorshëm por zbatimi i tij në praktikë ka hasur në vështirësi. Prandaj duhet të diskutohet për mënyrat se si punëdhënësi të detyrohet ta zbatojë atë në praktikë, theksoi ai.

“ Deri më tani kemi parë që ligji aktual i punës ka qenë mjaft i mirë dhe i favorshëm, por në praktikë kemi hasur në defekte të shumta sa i përket zbatimit të këtij ligji. Duhet të diskutojmë mbi mekanizmat që e detyrojnë punëdhënësin ta zbatojë në praktikë”, ka shtuar Mehmeti.

Organizatat e ndryshme dhe shoqëria civile kanë mundësinë që deri më 25 tetor të bëjnë vërejtje, sugjerime dhe kërkesa në ueb faqen e Ministrisë se Punës që këto projektligje të kompletohen për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në Kosovë.