Projektligji për pagat dhe zyrtarët publikë shkel Kushtetutën

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka thënë se projektligji për rritjen e pagave për zyrtarët publikë shkel Kushtetutën.

Lajme

23/10/2018 23:20

Në Komisioni për Legjislacion dhe Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion u shqyrtua kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me Projektligjin për pagat dhe zyrtarët publikë.

Në hapje të kësaj mbledhje, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konsideruar që është shkelur neni 4 i Kushtetutës me të cilin përcaktohet që tri pushtetet janë të barabarta dhe se Ligji për gjykatat përcakton se kryetari i Gjykatës Supreme duhet të ketë pagë ekuivalente me pagën e Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit.

Ajo tutje tha se Këshilli ka kërkuar që kryetari i Gjykatës Supreme dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të ketë pagë ekuivalente me të Kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit. Po ashtu, kanë konsideruar që nuk janë paraparë paga për disa pozita të bashkëpunëtorëve profesionalë të cilët paguhen sa 70 për qind e pagës së gjyqtarëve dhe këshilltarët juridikë të cilët bëjnë ekspertiza profesionale në Departamentin për çështje ekonomike dhe divizionit fiskal.

Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, tha se kemi kërkuar trajtim të barabartë të tri pushteteve.

“Ne mendojmë se me këtë draft ligj nuk ka trajtim të barabartë të tri pushteteve: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kështu që kemi kërkuar që pavarësisht si do të vendoset, qëllimi jonë, intenca jonë, është që të jetë trajtimi i barabartë edhe nëse zbriten le të zbriten për të gjithë por kryesorja qëllimi është të ketë barazi në mes këtyre tri pushteteve.”, tha Idrizi.

Ai më tej tha se aktualisht neni 4 i Kushtetutës e garanton një barazi të tillë. Sipas Idrizit, edhe Ligji aktual i gjykatave, që është në fuqi, e parasheh një mundësi të tillë.

Shkelje të Kushtetutës e konsideron edhe zëvendësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Bahri Hyseni.

“Me rastin e hartimit të Projektligjit për pagat konsiderojmë se është bërë shkelje kushtetuese dhe ajo që e përmendi kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë pikërisht në neni 4 të Kushtetutës ku parashihet ndarja e pushteteve dhe nëse shkojmë me rend pa e citu Kushtetutën shtylla e tretë nëse mund të themi apo pushteti i tretë siç e parasheh edhe Kushtetuta nuk është barazi në aspektin e pagave në ligjin aktual në draftin e kaluar në Qeverinë e Kosovës“, tha Hyseni.

Tutje, Bahri Hyseni tha se vendimi i Qeverisë i prek si prokurorët ashtu edhe gjyqtarët, sepse, sipas tij, ata kanë qenë të përjashtuar nga viti 2010 në të gjitha rritjet që janë bërë për nivelin e pagave.

“Natyrisht edhe Kuvendi kur ka vendosur herën e fundit për rritjen e pagave kemi qenë të përjashtuar”, shtoi Hyseni.

Bahri Hyseni thotë se një prokuror i shtetit, i cili nuk ka mundësi të punoj në institucionet e tjera, barazohet me një pagë të një drejtori të departamentit të komunave të Kosovës.

Anëtari i Komisioni Shkumbin Demaliaj tha se do ta mbështes kërkesën e tyre dhe  se nuk do të lëvizet përpara aty ku konsiderohet se ka shkelje ligjore,

“Aty ku konsiderohet se ka shkelje ligjore, respektivisht shkelje të Kushtetutës, nuk do të lëvizet tutje”, theksoi ai.

Korab Sejdiu pyeti se a janë marrë parasysh kërkesat e stafit civil që punojnë në  gjyqësor.

“Kohë më parë e keni pasë një grevë prej bashkëpunëtorëve tuaj që nuk janë gjyqtarë, edhe a i keni marrë parasysh, po më duket ju i paskeni propozu tabelat se si dëshironi që të jenë të adresuara pagat, a i keni marrë parasysh kërkesat e tyre kur e keni përpilu këtë formë tabelare?”, pyeti Sejdiu.

Në anën tjetër kreu i KGJK-së, Nehat Idrizi, tha se janë munduar të gjejnë zgjidhje.

“Ne kemi pasë pakënaqësi të administratës, jemi mundu disa zgjidhje me i ba”, tha ai.

Në fund të mbledhjes për këtë çështje u tha se këto dy kërkesa do të procedohen në Komisionin për Administrate, ku do të marrin pjesë edhe dy anëtarë nga ky Komision. /kallxo.com/