Projektligji i ri që nuk trajton plagët e ligjit të vjetër

Edhe pse nga emri mund të krijohet përshtypja se mbase nuk ka rëndësinë dhe nuk ka kontest, Ligji për Procedurën Jokontestimore është njëri nga ligjet me të rëndësishme që rregullon procedurën për gjykatat që veprojnë dhe vendosin mbi të drejtat dhe interesat personale, familjare dhe të drejtave të tjera dhe interesat pasurore dhe juridike.

Lajme

31/05/2018 23:30

Njëra nga procedurat më të rëndësishme që rregullohet me anë të këtij Ligji është edhe procedura për shqyrtimin e trashëgimisë, e cila rregullohet me kapitullin IV të këtij Ligji.

Pikërisht, ky kapitull ka qenë më së shumti në fokus të kritikave nga  njohësit  e fushës, sepse duke qenë se ky Ligj rregullon procedurën për trajtimin e pasurisë trashëgimore shpeshherë hapësirat e këtij ligji janë zbatuar në dëm të grave dhe vajzave që janë të përfshira në procedurat e trashëgimisë.

Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që përmes procedurës së plotësim-ndryshimit është iniciuar projektligji i ri për të përmirësuar Ligjin aktual në tërësi dhe në veçanti për të forcuar pozitën e grave dhe vajzave në procedurën trashëgimore.

Megjithëse në 39 nenet e këtij projektligji të propozuar nga Ministria e Drejtësisë fillimisht në vitin 2016, janë disa ndryshime përmes të cilave synohet të përshpejtohet procedura e shqyrtimit të trashëgimisë dhe gjithashtu synohet procedurat e trashëgimisë të zhvillohen vetëm para noterit e jo edhe në gjykata, siç ka ndodhur deri më tani, prapë se prapë kanë mbetur pa u trajtuar edhe shumë çështje e rekomandime të dhëna nga shoqëria civile në lidhje me këtë projektligj.

Çka është propozuar të ndryshohet?

Për dallim nga Ligji aktual i Trashëgimisë që parasheh se  procedura për shqyrtimin e trashëgimisë vihet në veprim nga gjykata sipas detyrës zyrtare, kjo dispozitë është propozuar të riformulohet si në vijim.

“Procedura për shqyrtimin e pasurisë trashëgimore iniciohet nga pala e interesuar apo nga noteri pas informimit të tij nga organi kompetent se një person ka vdekur ose është shpallur i vdekur me vendim gjyqësor”,përcaktohet në nenin 4 të projektligjit.

Ndryshim tjetër më thelbësor është edhe ndryshimi i nenit 131 të Ligjit aktual e që pasqyrohet në nenin 8 të projektligjit.

Sipas  ndryshimit të propozuar me projektligj e për dallim nga rregullimi aktual, tanimë marrjen e provave dhe të deklaratave për heqjen dorë nga trashëgimia mund ta bëjë vetëm noteri me procesverbal e jo gjykatësi ose procesmbajtësi i tij siç ishte e përcaktuar. Ky ndryshim është propozuar si rrjedhojë e bartjes së kompetencës nga gjykata tek noteri në lidhje me këto lëndë.

Megjithatë, në lidhje më këtë ndryshim, BIRN ka propozuar ndryshime drastike në mënyrën e marrjes së deklaratave në procedurë te noteri.

Me qëllim të evidentimit në mënyrë të pakontestueshme të deklaratave të palëve që heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar, BIRN ka propozuar që deklarimi për heqje dorë nga trashëgimia përpos evidentimit në procesverbal të evidentohet edhe përmes video dhe audio incizimit ndërsa këto materiale t’i bashkëngjiten lëndës së trashëgimisë e cila do të ruhet te noteri.

Deri te propozimi për shtimin e masave të sigurisë gjatë deklarimit të vullnetit për të trashëguar apo jo, BIRN ka ardhur për shkak të disa raportimeve në të kaluarën që gjyqtarë të caktuar dhe pastaj edhe noterë nuk i kanë udhëzuar palët që kanë predispozita për të hequr dorë nga trashëgimia për të drejtat dhe obligimet e tyre e në veçanti për pasojat e heqjes dorë nga trashëgimia.

Për me keq, ka pasur raportime në të kaluarën në media të caktuara se në veçanti gra dhe vajza jo vetëm që nuk janë informuar si duhet por madje janë kequdhëzuar dhe keqorientuar që të heqin dorë nga e drejta e tyre në pronë në favor të trashëgimtarëve burra.

Në situata të tilla, këto gra do ta kishin të pamundur të dokumentojnë se gjyqtarët në të kaluarën apo noterët tash e kanë bërë veprimin e caktuar.

Sidomos, pasi që procedura për heqje dorë nga trashëgimia do të paraprihet nga një seancë informuese dhe pastaj deklarimi për të hequr dorë do të ndodhë në një bisedë sy më sy të palës dhe noterit.

Nga praktika është vërtetuar se këto palë shpeshherë nënshkruajnë procesverbale pa i lexuar e në disa raste edhe pa i kuptuar dhe në këto procesverbale figurojnë klauzola që pohojnë se pala e ka lexuar përmbajtjen dhe është pajtuar.

Audio dhe video-incizimi do të ishte një mjet shumë efikas i sigurisë i cili do të dëshmonte se noteri e ka kryer në mënyrën e duhur dhe duke përdorur gjuhën e duhur palën e cila dëshiron të heqë dorë nga trashëgimia dhe pala vullnetin e saj e ka shprehur pasi ka kuptuar drejt pasojat e deklarimit të saj.

Për me tepër materialet e audio-incizimit do të mund të shërbenin si provë në procedura tjera kontestuese apo edhe penale në rast të ndonjë keqpërdorimi eventual.

Ndryshim tjetër i propozuar në këtë projektligj është edhe dispozita e nenit 133 të ligjit aktual e cila  është propozuar të ndryshohet në  atë formë që parasheh se pas vdekjes së një personi ose shpalljes si i vdekur nga gjykata, hartohet dëshmia e vdekjes nga zyra e gjendjes civile sipas të dhënave të marra në mënyrë të pavarur  nga regjistri civil në afat prej 15 ditësh nga dita e regjistrimit të vdekjes dhe i dërgohet Odës së Noterëve.

Pra, ky ndryshim parasheh që tani Zyra e Gjendjes Civile në mënyrë të pavarur  të hartojë dëshminë e vdekjes në bazë të të dhënave të regjistrit civil dhe pastaj ta dërgojë tek Oda e Noterëve.

Mirëpo, megjithatë, ndonëse është përcaktuar afati 15 ditor për Zyrën e Gjendjes Civile për ta dërguar dëshminë e vdekjes tek Oda e Noterëve nuk është paraparë ndonjë kufizim kohor se kur Oda e Noterëve duhet ta dërgojë te noteri kompetent, e krejt kjo me qëllim të përshpejtimit të procedurës së trashëgimisë.

Ndryshim tjetër i propozuar që mund të cilësohet gjysmë pozitiv është edhe ndryshimi i propozuar në nenin 11 të projektligjit dhe që riformulon nenet 134 dhe 135 të Ligjit aktual.

“Të dhënat për hartimin e dëshmisë së vdekjes mund të verifikohen edhe nga të afërmit e personit të vdekur, nga personat me të cilin personi i vdekur ka bashkëjetuar si dhe nga personat e tjerë që mund të japin të dhëna që shënohen në dëshminë e vdekjes”, përcaktohet në nenin 134.1

Neni 134.2 përcakton se si veprohet kur noterit i është dërguar dëshmia e vdekjes jo e plotë.

“Në qoftë se noterit i është dërguar dëshmia jo e plotë ose vetëm certifikata nga regjistri i gjendjes civile, noteri sipas rrethanave të rastit do të kërkojë nga organi kompetent mbajtjen e regjistrave të gjendjes civile plotësimin e dëshmisë së vdekjes ose verifikimin e të dhënave”,përcaktohet në projektligj.

Megjithëse ky është një ndryshim pozitiv në drejtim të asaj që noteri tani do të kërkojë plotësimin e dëshmisë së vdekjes, përsëri nuk është ngritur në nivel obligimi për noterin por është lënë në vlerësim të noterit ‘sipas rrethanave të rastit’.

Ky përcaktim patjetër se duhet të ndryshohet në atë mënyrë që shndërrohet në obligim për noterin që për secilin rast të verifikojë në regjistrin e të dhënave civile vërtetësinë e të dhënave në dëshminë e vdekjes.

Krejt kjo, duke ditur se dëshmia e vdekjes apo akti i vdekjes,  është dokumenti bazik në bazë të cilit iniciohet procedura e trashëgimisë dhe po ashtu është dokumenti themelor i cili nëse arrin të manipulohet, atëherë i gjithë procesi komprometohet dhe lehtësisht trashëgimtarë të caktuar mund të mos paraqiten fare në radhën e trashëgimisë dhe rrjedhimisht të privohen nga e drejta e tyre./Kallxo.com