Projektligjet e Ushtrisë dërgohen në Kuvend, pritet procedimi i tyre

Dje, Qeveria e Kosovës ka bërë miratimin e pakos së projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin e FSK-së.

Lajme

14/09/2018 12:02

Me të miratuar këto projektligje Qeveria thotë se ato janë dërguar për procedim në Kuvend. Kështu është deklaruar për lajmi.net, Halil Matoshi, këshilltar për media në kabinetin e kryeministrit të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës e ka përmbushur agjendën e vet dhe tash është çështje e Kuvendit të Republikës se kur ato i procedon tutje. Sigurisht që dokumentet që miratohen në Qeveri dërgohen në Kuvendin e Republikës”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe për deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku thanë se autoritetet e Kosovës nuk i kanë konsultuar sa i përket vendimit për miratimin e pakos së projektligjeve për transformimin e FSK-së.

“Ne nuk na kanë konsultuar për kohën kur është marrë vendimi dhe ne duhet t’i analizojmë projektligjet për të kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre”, thuhej në komunikatën që ambasada kishte lëshuar dje për media.

Mirëpo, Matoshi i tha lajmi.net se Qeveria bën konsultime të vazhdueshme dhe të përditshme me aleatët e Kosovës.

“Kjo çështja e ushtrisë është çështje e sovranitetit. Konsultimet me aleatët tanë janë të çdoditshëm edhe janë shumë dinamike për çdo çështje, jo vetëm për kalimin e projektligjeve që janë rutinore për agjendën e Qeverisë së Kosovë”, deklaroi më pas ai.

Mirëpo edhe zyrtarët e NATO-s kanë reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas aleancës, “çdo ndryshim i strukturës, mandatit dhe misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, çka do të kërkojë ndryshime kushtetuese”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë, profesionale, multi-entike dhe burim i stabiltetit rajonal. Kjo forcë ka kaluar rrugë të gjatë. Progesi i arritur është shembull i ndërtimit të suksesshëm të kapaciteteve nga ana e NATO-s, ndonëse duhet bërë më shumë punë. Aleanca mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosvës sipas mandatit aktual. NATO-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për siguri dhe stabilitet në Kosovë”, thotë përgjigja.

Në anën tjetër Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, e ka quajtur lajm të mirë miratimin e pakos së projektligjeve nga ana e Qeverisë, që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin e FSK-së.

Berisha ka bërë me dije se përmes këtyre projektligjeve parashihen kompetenca dhe detyra të reja për FSK-në, por jo edhe ndryshimi i emrit.

Ai ka treguar se do të ketë rritje të numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga 2500 në 5000.

Ministri Berisha ka theksuar se si institucione kanë ndërmarrë fushatë informuese me të gjitha shtetet partnere, ato të Quintit dhe shtetet e NATO-s për lëvizjet në këtë proces. /Lajmi.net/