Projektligj i ri për konfiskim të pasurisë

Vetëvendosje ka proceduar në Kuvend një ligj të ri për konfiskimin e pasurisë. Visar Ymeri thotë se Qeveria po mundohet ta mbajë në fuqi ligjin aktual, i cili, sipas tij, është pengesë për të luftuar korrupsionin.

Lajme

25/10/2013 16:14

Lëvizja Vetëvendosje e ka përgatitur projektligj të ri për konfiskim të pasurisë që pritet ta dërgojë për procedim në Kuvend.

Shefit i Grupit Parlamentar i Vetëvendosjes Visar Ymeri, tha se ligji aktual më shumë bën dëme sesa që i shërben luftës kundër krimit.

Ai ka thënë që ky ligj tregon se Qeveria është e aftë të bëjë gjithçka vetëm për ta penguar luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Ligji për konfiskimin e pasurisë të krijuar nga vepra penale ashtu siç është miratuar më shumë bën dëm se sa që i shërben luftës ndaj krimit. Në fakt ky ligj është dëshmi se Qeveria ka vullnet të bëjë gjithçka për të penguar luftën e krimit dhe korrupsionit”.

“Gjatë shqyrtimit të këtij ligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë bërë vërejtje të shumta sikur nga ne po ashtu edhe nga shoqëria civile. Qeveria e Kosovës ka refuzuar kategorikisht t’i marrë parasysh këto vërejtje”.

Sipas Vetëvendosje’s ligjet të cilat më së shumti i nevojiten Kosovës janë Ligji Anti-Mafia, Ligji për konfiskimin e pasurisëdhe Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ymeri në një konferencë për media  në Kuvendin e Kosovës mes tjerash ka thënë se në këtë formë nuk ndërtohet shteti i së drejtës.

Deputetja e VV’së, Albulena Haxhiu ka prezantuar projektligjin e përgatitur nga kjo lëvizje. Ajo tha se ky projektligj ka për qëllim që të përcaktojë kompetencat dhe proceduar për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

“Qëllimi kryesor i këtij projektligji është që të arrihet deri te justifikimi i pasurisë për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se është përfituar në mënyrë të kundërligjshme, e sidomos me cilësi penale”, ka thënë Haxhiu.   

Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë projektligj, sepse vota kundër këtij projektligj do të thotë pranim i gjendjes e tanishme dhe heqje dorë nga luftimi i korrupsionit, ose për më keq, janë të zhytur në korrupsion.