Projekt Plani Strategjik i Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018 – 2021, diskutohet me Organizatat e Shoqërisë Civile

Sot në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit është mbajtur tryezë pune me Organizatat e Shoqërisë Civile ku është prezantuar Projekt Plani Strategjik i Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018 – 2021 dhe janë biseduar temat e mundshme për auditime të performancës për tu përfshirë në planin vjetor të punës për sezonin e auditimit 2018 -2019.

Lajme

14/06/2018 16:42

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij në hapje të punimeve të kësaj Tryeze ka theksuar se bashkëpunimi me shoqërinë civile është shumë i rëndësishëm dhe se propozimet dhe sugjerimet që vijnë nga këto organizata trajtohen në mënyrë të veçantë.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, gjatë prezantimit të Planit Strategjik të ZKA-së ka shpalosur informata të detajuara mbi qëllimet dhe objektivat strategjike të ZKA-së për tu realizuar sipas këtij plani dhe për analizat e mjedisit dhe identifikimin e sfidave dhe boshllëqeve me të cilat ZKA mund të përballet në tri vitet e ardhshme gjatë realizimit.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar lart gatishmërinë e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të qenë e hapur dhe bashkëpunuese me shoqërinë civile ndërsa Planin Strategjik të ZKA-së e vlerësuan si ambicioz por që me angazhim dhe fonde të mjaftueshme mund të realizohet.

Të pranishmit vlerësuan se ZKA ka treguar një rritje të dukshme në performancë viteve të fundit, ndërsa e një rëndësie të veçantë u cilësua rritja e numrit të auditimeve të performancës.

Diskutimi i Projekt Planit Strategjik të ZKA-së 2018 – 2021, do të vazhdojë ditëve në vijim edhe me partnerë tjerë dhe palë të interesit të ZKA-së./Lajmi.net/