Projekt 410 milion euro me 100 km ski-lift për Brezovicën

Komiteti Drejtues Ndërministror ka prezantuar projektin e koncersiumit francez i cili është interesuar të investojë në Brezovcië. Ky projekt kap një vlerë investimi prej 410 milion euro, ku ndër të tjera është edhe ndërtimi i një ski lifti me gjatësi prej 100 kilometrave. 

Lajme

17/11/2014 17:17

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, në konferencën e mbajtur me këtë rast, ka shprehur kënaqësinë që po prezanton projektin e Brezovicës, projekt që ka filluar punën para dy vjetësh dhe ka pasur një proces goxha të vështirë që të arrihet deri këtu. 

Ministri Mulaj bëri të ditur se tashmë projekti ndodhet në fazën kur ekspertët e USAID-it, të cilët i ka falënderuar posaçërisht për punën e shkëlqyeshme që e kanë bërë, po bëjnë një evaluim të shkëlqyeshëm të gjithë këtij procesi të ofertës të cilën e ka ofruar konsorciumi që ka konkurruar për projektin e Brozovicës.

Ministri i MTI-së tha se për këtë projekt tashmë është i interesuar një konsorcium, i cili ka bërë një ofertë 410 milionë euro për Brezovicën, me mbi 100 kilometra ski-lift dhe me shumë elemente tjera që i takojnë një resorti. 

Ministri Mulaj po ashtu theksoi se ky është projekti më i madh i Kosovës që nga paslufta, meqë bëhet fjalë për 410 milionë euro. 

Pas shpalljes se një tenderi ndërkombëtar është dorëzuar propozimi nga ana e një konsorciumi francez, i udhëhequr nga MDP Consulting, – duke veçuar këtu edhe operatorin francez të njohur botërisht, Compagie des Alpes. Propozimi në fjalë parasheh investime në faza për gjatë periudhës të caktuar me marrëveshje, me ç’rast, periudha fillestare, pra gjatë 3 vjetëve të para, parasheh 165 milionë euro investime. Koncepti zhvillimor i PZHQTB-së, parasheh, po ashtu, objekte me shfrytëzim/ destinim të shumëllojshëm në mënyrë që të ofrohen aktivitete të ndryshme turistike gjatë tërë vitit, përfshirë këtu Aquaparkun dhe Parkun e Avanturave (park me drunj të lartë në të cilat vendosen litarët dhe formohen shtigjet sfiduese për t’u kaluar, për qëllime rekreative).

Zgjerimi i hapësirave do të krijojë shtigje të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan) të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon. Zhvillimi i këtij kompleksi turistik është i qëndrueshëm në aspektin mjedisor dhe përfshin objektet me përdorim të shumëllojshëm dhe të shtrira në pjesët më të veçuara të maleve. Në përgjithësi, investimet në këtë pjesë pritet t’i krijojnë më shumë se 3050 vende pune prej të cilave 920 vende pune/pozita do të jenë në resort/kompleksin turistik.

PZHQTB-ja mëton të jetë një kompleks turistik i vetëqëndrueshëm, me ç’rast ofertuesi i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për tërë infrastrukturën (rrugët, kanalizimin, trajtimin e ujërave, shërbimet komunale, etj) pra, pa pasur nevojë për investime nga sektori publik.

Komiteti Drejtues Ndërministror për PZHQTB-në ka konfirmuar se procesi i prokurimit do të vazhdojë dhe se dhënia e kontratës do të bëhet publike në përputhje me Ligjin e Prokurimit.

Megjithatë, me kërkesën e kryetarit të Komunës së Shtërpcës, nënshkrimi i kontratës nuk do të bëhet para periudhës kohore prej 90 ditësh.