Profili i Kryeministrit në largim: U shërbeu dy sistemeve, do të ketë rreth 3 mijë € të ardhura mujore

Isa Mustafa po largohet nga pozita e Kryeministrit duke i realizuar pothuajse të gjitha ambiciet politike, akademike e financiare. Shërbeu në pushtetin jugosllav, ishte pjesë e Qeverisë së paraluftës,u ngjit në kreun e LDK’së dhe të Qeverisë, ishte profesor dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave. Të ardhurat e tij mujore do të jenë rreth 3 mijë euro, duke llogaritur pagën si ish-Kryeministër, akademik e pensionist. Express sjell një profil të Kryeministrin në largim dhe kryetarit aktual të LDK’së.

Lajme

10/09/2017 17:35

Kryeministri Isa Mustafa po largohet nga pozita me e lartë e Qeverisë, ndoshta, shpejt edhe nga pozita e Kryetarit të LDK’së, duke realizuar pothuajse të gjitha ambiciet politike, akademike e financiare.

Ishte në krye të pushteteve në tri kohë të ndryshme. Fillimisht, në rini si pjesë strukturave komuniste, pastaj në vitet 90’ta si Ministër i Qeverisë në Ekzil, pasluftës nëpër borde të pavarura, këshilltar i Presidentit, Kryetar i Prishtinës, Kryetar i LDK’së për dy mandate dhe së fundmi Kryeministër i Republikës.

Në fakt, pika më e zezë, në karrierën e tij, është periudha kur i shërbeu pushteti komunist të Jugosllavisë, kur bëheshin diferencimet politike dhe burgoseshin gjithë ata që kërkonin Republikë për Kosovën.

Isa Mustafa, për një pjesë të njerëzve në Kosovë, është sinonim i komunizmit. Ai ishte Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit prej vitit 1984-88.

Më pas, ishte pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Jusuf Zejnullahu, 1989- 1990.

Pastaj, ishte emëruar Ministër i Financave në Qeverinë e Bujar Bukoshit në Ekzil.

Ishte profesor i Ekonomisë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës dhe është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Pas luftës në Kosovë, Mustafa kishte mbajtur pozita nëpër borde të ndryshme, duke përfshirë edhe atë të Universitetit të Prishtinës.

Mirëpo, ai u rikthye  në skenën politike, duke qëndruar afër Fatmir Sejdiut. Ky i fundit kishte vendosur ta kandidonte për Kryetar të Prishtinës më 2007, ku kishte fituar përball Fatmir Limajt të PDK’së.

Edhe në vitin 2009, Mustafa kishte fituar lehtësisht ne raundin e pare, duke pasur kundërshtarë Astrit Salihun, e Vegim Gashin.

Po në vitin 2009, Mustafa ngjitet në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte fituar garën me Fatmir Sejdiun, të cilin e kishte këshilluar në cilësinë e ekspertit të ekonomisë.

Ky sukses i tij ishte krejtësisht falë gjuhës së tij të ashpër kundër PDK’së dhe kundër SHIK’ut.

Pasi kishte marrë udhëheqjen e LDK’së, ai kishte premtuar reforma të cilat asnjëherë s’janë realizuar. Krejt çka ka bërë në LDK është se ka sistemuar gardën e vjetër dhe ka sjell shumë pak emra të rinj.

Tash, nisi eliminimin e njerëzve te rinj, duke perfshire Arben Gashin e Vjosa Osmanin, të cilët i largoi nga të gjitha forumet vendimmarrëse të LDK’së.

Duke qenë Kryetar i LDK’së, Mustafa për një kohë udhëheq edhe Prishtinën, deri në vitin 2013, kur humb garën e drejtpërdrejtë me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

Pas kësaj humbje disa zyrtarë ia kërkuan edhe dorëheqjen, por ai refuzoi duke thënë se do të fitonte Kosovën. Ëndrra e tij ishte diçka e ngjashme me rrugëtimin e Edi Ramës në Shqipëri, i cili kishte humbur Tiranën por kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme. Dhe, këtë ëndërr e realizoi, duke bërë koalicion me PDK’në.

LDK dhe Isa Mustafa pësuan katër humbje radhazi përballë PDK’së këtë vit. Dolën për herë të tretë pas Hashim Thaçit, i cila fitoi më 2007, më 2010,më 2014. Ndërkaq, LDK e renditi partinë e tretë pas zgjedhjeve të qershorit të këtij viti.

Duke e parë këtë situatë, Mustafa përsëri nuk dha dorëheqje por trokiti në derën e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt. Këta dy të fundit mund të konsiderohen se e shpëtuan përsëri politikanin i cili po e kthente humbjen në një fitore, shkruan Gazeta Express.

Pra, Isa Mustafa, duke qëndruar bashkë me Haradinajn e Limajn e dikur edhe me Albin Kurtin arriti të kthente situatën në favor të tij, kur zyrtarët e LDK’së veç kishin filluar t’ia kërkonin dorëheqjen për humbjet e njëpasnjëshme.

Mustafa, dha shenjat e para, se po e përfundoi karrierën politike, në prag të zgjedhjeve të fundit, kur hoqi dorë nga kandidimi për Kryeministër dhe nuk kandidoi as për deputet.

Mirëpo, po vazhdon ende ta udhëheqë LDK’në.

Llogaritur në deklarimet e pasurisë, Isa Mustafa, do të merr pension, pagë si ish-kryeministër dhe pagë nga Akademia e Shkencave, mbi 3 mijë euro.

Mustafa merr 1370 euro si mëditje sa të jetë gjallë nga Akademia e Shkencave, po aq mjete, do të ketë si pagë si ish-Kryeministër. Ndërkaq, do të marrë edhe pension dhe mjete tjera si ligjërues e pronar aksionesh në një universitet privat.

Ndërkaq, në deklarimin e pasurisë, për vitin 2017, Isa Mustafa ka treguar se ka para të gatshme në bankë mbi 65 mijë euro, ndërkaq, ka aksione në RIInvest, në vlerë prej 39 mijë e 900 eurove.