Profil: Kush është anëtarja më e re e Vetëvendosjes

Anëtarja më e re e Partisë së themeluar nga Albin Kurti është Donika Kadaj – Bujupi. Edhe pse s’ka nënshkruar ende aderimin, ajo sot u pa në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Vetëvendosjes. Por, kush është Donika Kadaj-Bujupi?

Lajme

17/04/2016 11:38

 

Ishte studente e një kolegji privat të gazetarisë, kishte punuar në Komunë të Prishtinës, UNMIK, pastaj Zëdhënëse e KEK’ut për të vazhduar me aktivitetin në AAK ku mori pozitën e Shefes së deputetëve. Ishte angazhuar fort për ta bërë Ramush Haradinajn Kryeministër. Tash, ka nisur një betejë tjetër, ndoshta, për ta bërë Albin Kurtin Kryetar të Qeverisë.

E lindur në vitin 1979 në Istog, Donika Kadaj, kishte vendosur të merret me politikë prej vitit 2007, kur kishte aderuar në AAK. Prej atëherë kjo parti e shijon opozitën. Ajo ishte bërë deputetet në zgjedhjet e atij viti, ndërsa, tash është në mandatin e tretë si e zgjedhur nga populli.

Pas luftës kishte punuar në Komunë të Prishtinës për të vazhduar prej vitit 2002 deri më 2005 në UNMIK. Pastaj ishte bërë Zëdhënëse e KEK’ut.

Ish-udhëheqësen e deputetëve të AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi e njohin, një pjesë e qytetarëve, si njërën prej zyrtarëve më të flakta për ta bërë Ramush Haradinajn Kryeministër. Në këtë drejtim ishte angazhuar fort për ta jetësuar marrëveshjen e koalicionit të opozitës të ashtuquajtur VLAN, ku parashihej që Isa Mustafa të bëhej fillimisht kryeparlamentar e pastaj President.

Pas këtij dështimi, Kadaj-Bujupi vazhdoi betejën për t’u ngjitur në pushtet përmes një koalicioni të ri të opozitës. Por, pa LDK’në, shkruan Gazeta Express.

Kishte qenë njëra prej zyrtarëve kryesore që kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Bashkë me Albulena Haxhiun kishte arritur të fuste në sallën e Parlamentit gazin lotsjellës. Ishin thënë edhe barsoleta për mënyrën se si arrinin t’i gjunjëzonin policët e kontrollet që iu nënshtroheshin deputetët.

Kishte mbajtur edhe disa ditë paraburgim për shkak të veprës që kishte kryer në sallën e Parlamentit.

Ish-Zëdhënësja e KEK’ut kishte provuar të bëhej edhe Kryetare e vendlindjes, Istogut. Por s’kishte arritur as të hynte në balotazh.

Në mesazhin e sotëm, Kadaj – Bujupi tha se në Vetëvendosje kaloi sepse s’u tundua nga pushteti.

Beteja e parë dhjetëvjeçare për ta bërë Haradinajn Kryeministër i dështoi. Tash, s’dihet nëse do të arrijë ta bëjë Albin Kurtin ose Visar Ymerin Kryetar të Qeverisë./gazetaexpress/