Profeti Isaia, Gjon Pagëzori, Marc Weller dhe Uti Possidetis me Malin e Zi

Mbrëmë, krejt vonë, e lexova punimin e profesorit të respektuar të Qendrës Lauterpach në Cambrdige, Marc Weller, i cili fund e krye flet për vlefshmërinë absolute të Marrëveshjes për demarakcion me Malin e Zi të gushtit 2015.

Lajme

01/09/2016 21:36

Shkruan: Enver Hasani

Në fillim, përshtypja e parë që më ngeli kishte të bënte me konstatimin e tij për forcën absolute të kadastrit, si dhe për interpretimin e çuditshëm dhe jo të saktë të uti possidetis. Ky i fundit shërben, siç dihet, për t’i ngrirë kufijtë administrativë në ditën e pavarësimit të shteteve, në rastin konkret në ditën e pavarësimit të Malit të Zi (6 qershor 2006) dhe të Kosovës (17 shkurt 2008).

Prof. Marc Weller e injoron faktin se Komisioni Shtetëror është dashur së pari të konstatojë nëse ka pasur ndryshim kufiri në mes të Malit të Zi dhe Kosovës në periudhën prej qershorit 2006 e deri në shkurt të vitit 2008. Me shumë gjasa, nuk ka pasur. Këtë e them unë. Këtë është dashur ta konstatojë Komisioni, jo ta thotë, domethënë Komisioni është dashur që nëpërmjet dokumentacionit relevant të konstatojë nëse ka pasur ndryshim në kufirin në mes të dy shteteve, sepse kështu e thotë GJND-ja në rastin Burkina Faso/Republika e Malit (1986), kur përdor shprehjen se uti possidetis juris nënkupton ngrirje (fotografim) të kufijve administrativë në ditën e pavarësimit të shtetit të dhënë.

Ky moment, për Malin e Zi është 6 qershori 2006 dhe për Kosovën – 17 shkurti 2008.

Pajtohem që, në kuadër të ish-Jugosllavisë, territori i dy vendeve ka qenë i administruar me dekada të tëra në kuadër të ish-Jugosllavisë, dhe ky është parimi i kontrollit efektiv, të cilin prof. Marc Weller e përdor në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese, sepse herë thotë se ai vlen vetëm pas shpalljes së pavarësisë së dy vendeve, e herë thotë gjatë tërë kohës së ekzistimit të Kosovës dhe të Malit të Zi si entitete të veçanta administrative, pra që nga viti 1974, meqë Kosova vetëm atëherë u bë e veçantë, me një identitet të caktueshëm territorial. Kështu, me zigzage flet edhe procesverbali i Qeverisë së Malit të Zi, i cili përdor infrastrukturën ligjore të viteve të para Luftës së Dytë Botërore, gjë që ka shkaktuar huti në Kosovë. Këtë është dashur ta sqarojë profesori Marc Weller.

Në mënyrë të njëjtë, pra me zigzage, prof. Marc Weller është dashur ta sqarojë edhe parimin e efektivitetit, nëse kadastri dhe infrastruktura tjetër ligjore nuk ka mundur të kufizohet vetëm në kohën e pas pavarësimit të Malit të Zi. Shihet qartë se prof. Marc Weller, njësoj sikur edhe Komisioni, merr parasysh provat të cilat Mali i Zi i ka pasur në dispozicion gjatë kohës së punës për demarkacion me Kosovën (2012-1015).

Debati i datës 3 gusht 2016 ka treguar katërçipërisht se, në sektorët e caktuar, në veçanti nga rajoni i Kullës, ka dëshmi të forta që flasin se autoritetet publike kosovare kanë administruar atë territor pa ndërprerë që nga vitit 1974 e deri në pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008, në veçanti sa i përket pagimit të taksave, mirëmbajtjes së pronave publike, rrugëve etj. Edhe nga sektorët e tjerë janë prezantuar dokumente valide që flasin për këtë që e themi këtu. Flasim për rajonin e Kullës, meqë ka qenë fakt publik i prezantuar nga qytetarët kosovarë të asaj ane, më 3 gusht 2016. Këtë fakt duhet pasur parasysh, jo legjislacionin valid që ka qenë në fuqi në Kosovë në këtë kohë, sepse asnjë ligj i Kosovës, apo i Malit të Zi, lidhur me kadastrin apo lidhur me ndarjet administrativo-territoriale nuk përcakton metrat e sakta të tokës që të mund të shërbejë si vijë e fundit për caktim të kufirit të ri të shtetit të Kosovës. Ajo infrastrukturë ligjore shërben në rastin më të mirë për identifikim të ecjes së vijës kufitare, të drejtimit të saj, por jo si bazë e vetme për caktim të kufirit në terren.

Ligji i Malit të Zi mbi Organizimin Territorial (2011), ta zëmë, qartë e thekson se në rast kontesti në mes të planit kadastral dhe zonës së dhënë komunale të përcaktuar me ligje, atëherë shkohet në arbitrazh vendor. Kjo do të thotë se as teksti e as kadastri nuk kanë përparësi absolute. Meqë kjo është kështu, atëherë Komisioni është dashur të marrë parasysh kriteret plotësuese, ose klasike siç i quajmë ne, të së drejtës ndërkombëtare lidhur me demarkacionin.

Këto kritere i përfol prof. Marc Weller, por nuk sqaron pse duhet të injorohen në rastin e Kosovës (sic!). E vetmja arsye është, sipas prof. Marc Weller, që kadastri ka vlerë absolute dhe përjashtuese kundrejt çdo kriteri tjetër.

Askush nuk e mohon vlerën ligjore të kadastrit sipas ligjit ndërkombëtar, mirëpo të qenurit e tij kriter kryesor dhe përjashtues me rastin e caktimit të kufijve është pak problematik. Në asnjë rast, në ish-Jugosllavi, kadastri nuk ka arritur t’i zgjidhë të gjitha çështjet e kufirit në mes të ish-republikave jugosllave. Në asnjë rast (sic!) kadastri nuk ka arritur caktimin e kufirit në tërësi duke lënë të paqartë 5-7 për qind mesatarisht. Merreni, ta zëmë, rastin e Prevllakës (Kroaci – Mali i Zi) dhe të kontestit rreth caktimit të kufirit në lumin Mura (Kroaci – Slloveni). A mund të ndihmojë kadastri aty si kriter absolut dhe përjashtues?! Ose, rasti i mosmarrëveshjes në mes të Serbisë dhe të Kroacisë në Vojvodinë rreth brigjeve të Danubit!? Me një fjalë, thënë shkurt, përjashtimi i kritereve klasike të ligjit ndërkombëtar për caktimin e kufijve në zonat e larta malore, nëpër lumenj, liqene e kreshta të larta nuk mund të përjashtohet në tërësi, siç bën prof. Marc Weller dhe siç ka bërë Komisioni Shtetëror.

Rreth ratifikimit dhe relativizimit të fuqisë së tij

Prof. Marc Weller flet për ratifikimin si për një akt jo fort me vlerë, si diçka që formalisht i duhet Kosovës, meqë kjo punë tanimë është e kryer dhe, për pasojë, mos ratifikimi nuk ndryshon vijën kufitare të tërhequr nga Komisioni Shtetëror. Kjo nuk është kështu! Ratifikimi është një sine qua non, kusht i domosdoshëm, për vlefshmërinë e një marrëveshjeje shtetërore për caktim të kufirit.

Nuk ka kushtetutë në dy anët e Atlantikut që lejon ekzekutivin e vendit që të hyjë në marrëveshje territoriale të çfarëdo natyre pa pasur një klauzolë e cila flet për domosdonë e kontrollit të saj nga ana e organit përfaqësues. Në fakt, siç e din prof. Marc Weller, institucioni i ratifikimit ka lindur në luftën e shtresës së mesme përgjatë shekujve XVIII dhe XIX për kontroll të pushtetit ekzekutiv nga ana e organit përfaqësues i cili është goja dhe mendja e sovranit. Po u besua kjo që thotë prof. Marc Weller, unë dhe ai, si dhe krejt ata që japin lëndën e ligjit ndërkombëtar, duhet të themi se ratifikimi nuk ka asnjë fuqi në vlefshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare. Për më tepër, edhe ata që japin lëndën “E drejta kushtetuese” duhet të gënjejnë dhe të thonë se nuk ka asnjë kushtetutë në dy anët e Atlantikut që kërkon ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë për objekt rregullimin e çështjeve lidhur me territorin shtetëror, në çfarëdo mënyre qoftë ai rregullim.

Kjo nuk mund të jetë kështu, sepse ratifikimi është akti i fundit i cili e sjell në jetë një marrëveshje ndërkombëtare. Kuptohet, dhe pajtohem me prof. Marc Weller, se palët që kanë nënshkruar një marrëveshje nuk duhet ta shkatërrojnë objektin dhe qëllimin e saj pasi të jetë nënshkruar derisa të ratifikohet dhe, për pasojë, quhen të vlefshme krejt ato veprime të palëve të marrëveshjes së nënshkruar të cilat i janë ndërmarrë në ndërkohën deri në ratifikim.

Pala malazeze ka bërë ratifikimin dhe ai është i vlefshëm. Pala kosovare po ka vështirësi me ratifikim. Kjo situatë është e vlefshme dhe duhet të respektohet nga ana e ligjit ndërkombëtar dhe të synohet gjetja e një zgjidhje politike e cila bazohet në kritere profesionale e shkencore të ligjit ndërkombëtar. Assesi ndryshe. Po të ishte ndryshe, ne do ta pranonim se Kosova është josovrane në aspektin formal kundrejt fqinjit tonë të respektuar, Malit të Zi (në aspektin material, sovraniteti është një çështje krejt relative).

Rreth propozimit për arbitrazh dhe relativizimit të rolit të tij!

U mor vesh, pëlqimi i dy palëve kërkohet për çdo angazhim të arbitrazhit, ad hoc ose atij permanent ndërkombëtar. Por, në të njëjtën kohë, duhet theksuar se në të drejtën ndërkombëtare caktimi i kufirit është akt i njëanshëm juridik për vlefshmërinë e të cilit duhet edhe pëlqimi i palës tjetër. Pa pëlqim të dyanshëm, nuk ka caktim të kufirit. Kur nuk ka pëlqim të dyanshëm, atëherë vijnë në shprehje metodat e tjera të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Ndër to është edhe arbitrazhi.

Kjo ka ndodhur në të gjitha rastet e mosmarrëveshjeve në ish-Jugosllavi. Nëse thuhet a priori, siç e thotë prof. Marc Weller, se arbitrazhi nuk bën punë sepse Kosova humb kontestin, atëherë pse nuk provohet një gjë e tillë?! Nëse relativizohet deri në absurd institucioni i arbitrazhit, atëherë duhet që studentëve të mi në Kosovë, dhe ai të të vetëve në Cambridge, t’u shpjegojmë se arbitrazhi tani e tutje nuk ka asnjë rëndësi në mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve sepse mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve paskan një epilog i cili qenka i ditur a priori: po humbka shteti i lig, në këtë rast Kosova! Mbase edhe mund të pajtohem me këtë konstatim të prof. Marc Weller, por assesi nuk do të pajtohem që arbitrazhi nuk ka relevancë në rastin konkret dhe se, në të njëjtën kohë, mund të bëhet në mënyrë të njëanshme caktimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, pra me një marrëveshje të paratifikuar. Në këtë moment kam problem me ndërgjegjen time profesionale që të pajtohem më këtë konstatim.

E kam thënë dhe sërish po e përsëris se, në të drejtën ndërkombëtare, hartat, të cilat prof. Weller i shpërfill kur flitet për ato që ka ofruar grupi i ekspertëve kosovar që kundërshton demarkacionin në versionin aktual të propozuar nga Komisioni Meha, kanë vlerë dyfarëshe: ato mund të jenë a) dokumente provuese të një teksti legal; dhe b) interpretuese të një teksti legal.

Hartat kanë vlerë provuese kur janë pjesë e një marrëveshje ndërkombëtare, siç është konstatuar në rastin në GJND ndërmjet Tajlandës (ish-Siamit) dhe Kamboxhias, i njohur si rasti Tempulli Preah Vehar (1962). Ky standard është zbatuar edhe në Marrëveshjen e Dejtonit dhe, më këtë standard, Mali i Zi ka fituar Sutorinon. Si i tillë, ky standard për hartat është përdorur edhe në kontestet e tjera kufitare, si në Amerikën Latine ashtu edhe në Afrikë. Hartat kanë forcë interpretuese të një teksti atëherë kur nuk janë pjesë e tij.

Në rastin tonë, Plani Ahtisaari nuk ka pasur një hartë aneks për qëllimet e caktimit të kufirit të Kosovës, përveç kur bëhet fjalë për Marrëveshjen ndërmjet RFJ-së (Serbi dhe Mali i Zi) dhe Maqedonisë (2001), të cilën e citon Plani Ahtisaari në nenin 3 të Aneksit VIII. Këtë marrëveshje, Kosova e ka trashëguar sipas ligjit ndërkombëtar dhe nuk ka asnjë gjë kontestuese apo të keqe këtu dhe me këtë rast. Sa i përket Marrëveshjes së Kumanovës, ajo mund të përdoret vetëm si indicie (tregues) për interpretim të Planit Ahtisaari, gjithnjë në kontest të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999) dhe Mendimit Këshillëdhënës të GJND-së për Kosovën (2001). Assesi ndryshe!

Marrëveshja e Kumanovës dhe harta e saj aneks kanë pasur për qëllim krijimin e bazës juridiko-ndërkombëtare për hyrjen e KFOR-it në Kosovë dhe për operim ushtarak në terren, duke krijuar kështu situatën që në ligjin ndërkombëtar quhet okupim bona fide, që do të thotë se KFOR-i, si forcë ushtarake, ka operuar bona fide mbi një bazë të qartë juridiko-ndërkombëtare në kuadër të territorit të një shteti i cili deri atëherë ka qenë sovran, RFJ (Serbi dhe Mali i Zi). Me hyrjen e forcave të KFOR-it në Kosovë, sovraniteti i RFJ-së (Serbi dhe Mali Zi) është suspenduar, siç e ka konstatuar GJND-ja në mendimin e saj këshillëdhënës (2001).

Është krejt e sigurt se Kosova, në rast të një arbitrazhi, nuk do të bënte gabimin e Komisionit Shtetëror, por do ta theksonte fuqishëm, në klauzolën për juridiksion dhe ligjin që do të zbatohej, se nuk do të mund të përdorej kundër saj si fakt interpretues draft-Marrëveshja për demarkacionin e gushtit të vitit 2015. Fundja, këtë do ta bënte çdo shtet sovran, sado i dobët që të jetë. Ajo që prof. Marc Weller e thotë për detyrimin absolut, të cilin shteti e merr kur ekzekutivi i vendit vë një firmë, nuk vlen në rastin konkret sepse, sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore dhe Konventës së Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve (1980), marrëveshjet për caktim të territorit i nënshtrohen ratifikimit. Këtu nuk ka asnjë përjashtim në asnjë vend dhe në asnjë kushtetutë.

Rreth Planit Ahtisaari si Bibla e Kosovës

Nuk ka njeri racional, përfshirë këtu edhe ata që në dukje duken si kundërshtarë të Planit Ahtsaari, që nuk pajtohet se Plani (dhe Kushtetuta e Kosovës si derivat i tij) vërtet paraqet një dokument të shenjtë i cili në mënyrë graduale po bëhet definues i identitetit të ri të shtetit të ri Kosovës. Problemi ka qenë dhe është me ata të cilët e interpretojnë Planin dhe synojnë që interpretimet e tyre personale t’i plasojnë si Bibël dhe si skripturë të shenjtë të traditës abrahamike. Thënë shkurt, nëse ka një Bibël, atëherë ajo gjendet në tekstin e Planit Ahtisaari, jo interpretimet që i bëhen atij, përfshirë këto të prof. Marc Weller dhe të tjerëve.

Ka nga ata që besojnë në skripturat e shenjta të traditës abrahamike, në Dhiatën e Vjetër, në Dhiatën e Re dhe në Kuran respektivisht, por që i shohin ato pak më ndryshe se dogmatët dhe metafizikët e tjerë të besimit në një zot dhe në profetët e tij. Këta i shohin skripturat jo si libra metafizikë, por si libra historikë, të cilat kanë një shpjegim krejt racional dhe jometafizik, të cilat kanë një autor tokësor dhe joqiellor.

Kjo rrethanë fare nuk i bën këta njerëz të cilësohen si ateistë. Përkundrazi, këta cilësohen si deist dhe Volteri me krejt iluministët kanë qenë të tillë. I tillë është edhe autori i këtyre rreshtave. I besoj atyre historianëve që thonë se Dhiata (e Re dhe e Vjetër) kanë autorësi romake dhe se profeti Isaia nga Dhiata e Vjetër, i cili paralajmëron ardhjen e profetit, është shkruar nga i njëjti autor që flet edhe për Gjon Pagëzorin, i cili po ashtu paralajmëron ardhjen e profetit. Por, nuk besoj se profeti që erdhi, e që sikur Isai ashtu edhe Gjon Pagëzori e cilësuan në Dhiatë (të Vjetër dhe të Re) si Jezu Krisht, ka qenë në fakt Jezu Krishti, e aq më pak Muhamedi.

Profeti, më shumë besoj, nuk ka ardhur akoma dhe se debati për përndritjen dhe humanizimin e shpirtit të njeriut akoma do të vazhdojë. Këtë duhet ta kuptojë prof. Marc Weller, kur flet e shkruan për demarkacionin me Malin e Zi. Punimi i prof. Marc Wellerit shihet qartë se është porositur nga një dorë “romake”, gjë që është legjitime, sepse askush pa pagesë nuk jep udhëzime profesionale, në veçanti kur ato janë të orientuara politikisht me synim zgjidhjen e një mosmarrëveshje momentale politike.

Kjo qasje e profesorit të respektuar Mark Weller, megjithatë, sikur duket që nuk ka arritur t’u tregojë kosovarëve në mënyrë bindëse se kush është profeti të cilin e përmend profeti Isaia në Dhiatën e Vjetër, e i cili profet do të kishte relevancë në caktimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Kjo qasje e profesorit të respektuar Marc Weller aq më duket se ka arritur t’ia qëllojë nëse ai profet, i cili paralajmërohet nga Isaia në Dhiatën e Vjetër dhe Gjon Pagëzori në Dhiatën e Vjetër, është Jezu Krishti apo Muhamedi.

Mbase, porositësi i punës së prof. Marc Weller e ka të qartë një gjë të tillë, pra se kush është profeti i ri. Megjithatë, pak relevancë ka nëse e kuptojnë “romakët” shkrimin e porositur. Kjo për arsye se nuk ka mundësi në këtë mënyrë të dihet profeti i ri, ngaqë secila dije që bëhet me porosi të ngutur dhe pa shikuar thellë në përmbajtjen konkrete të uti possidetis juris në rastin e Kosovës dhe të parimit të efektivitetit, vetëm sa prodhon më shumë huti se që sqaron diçka.

Profetizimi kërkon jo vetëm parashikime metafizike mbi ardhjen e profetit, por edhe përshkrim konkret të fytyrës së profetit dhe të emrit të përveçëm të tij. Këtë ka dështuar ta bëjë prof. Mark Weller. Dhe, nuk çuditem aspak! Kjo, sepse dukshëm ka shmangur vijat kryesore të interpretimit të ligjit ndërkombëtar mbi caktimin e kufijve, duke shpërfillur në tërësi kriteret klasike të ligjit ndërkombëtar dhe duke përligjur kadastrin si të vetmin kriter përjashtues, sikur të ishte Bibël kadastri e jo vetë Plani Ahtisaari.

Sa i përket prof. Hivzi Islamit, nuk ia vlen asnjë diskutim, meqë ai merret me gjëra të imëta, jo me ato që kanë relevancë për debatin. Besoj se në kontekstin e caktimit të kufirit me Malin e Zi, prof. Hivzi Islami do të mbahet mend si “profetizuesi pa emër” nga librat e shenjta të kohës pa kohë e hapësirë gjeografike të profetizimeve, krejt si në Bibël, të cilat profetizime, në rrethanat kosovare, u shkaktuan si pasojë e punës okulte dhe krejt jotransparente të atyre që udhëhoqën me procesin e caktimit të kufijve të Kosovës me Malin e Zi. Metodologjia e gabuar e Komisionit dhe e atyre që i kanë ndenjur dhe që i rrinë prapa atij, kanë qenë dhe janë shkaktar i kësaj gjendje, të cilën duhet ta zgjidhin vetë ata të cilët e kanë krijuar.