Profesori ankohet për keqmenaxhim në Universitetin e Mitrovicës

Themelimi i tre fakulteteve të reja në Universitetin e Mitrovicës është përcjellë me pakënaqësi te stafi akademik të cilët kanë ankesa për menaxhmentin në fazën e konsolidimit të këtyre programeve.

Lajme

21/07/2018 15:37

Që nga viti 2014 kur u themeluan, Fakulteti i Edukimit, ai Juridik dhe Ekonomik në Universitetin Publik ‘Isa Boletini’, funksionojnë pa këshille të brendshme dhe me ushtrues të detyrës së dekanëve.

Qerim Selimi, profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit me një shkresë zyrtare në rektorat ka tërhequr vërejtjen  se funksionimi i tillë ka bërë që të ketë parregullsi edhe në mbarëvajtjen e studimeve.

“Kam hasur në parregullsi dhe njëra ndër to është menaxhimi nga Ushtrues Detyre. Dhe ky menaxhim nuk ka arritur që të plotësojë edhe kushtet të cilat duhet t’i ketë një fakultet. Një ndër to është moszbatimi i rregullores sidomos të mësimbajtjes’, tha Selimi.

Ai tha se profesorët në këtë fakultet vetëm listat e studentëve i marrin dhe i dorëzojnë. Bile sipas tij prej marsit kanë filluar të i dorëzojnë në kuti, se më herët i futnin nën derën e zyrës së prodekanes.

Selimi pati akuza edhe lidhur me emërimin e ish- Ushtrueses së Detyrës së Dekanes në këtë fakultet, Fatbardha Hoxha, e cila kishte qëndruar në këtë pozitë për disa vite për t`u bërë tani pjesë e Këshillit Drejtues të Universitetit.

Sipas Selimit, thirrja e saj akademike si asistente nuk është e duhur për të marrë këto pozita.

Statuti i Universitetit Publik të Mitrovicës thekson se “Kandidatët për postin e dekanit dhe të prodekanit duhet të jenë individ me kualifikime relevante akademike dhe të kenë aftësi dhe përvojë në udhëheqje, si dhe të kenë së paku thirrjen e profesorit asistent”.

Në anën tjetër, Ahmet Jashari, zëdhënës në rektoratin e këtij Universiteti duke iu përgjigjur ankesave të profesorit Selimi, tha se mungesa e kualifikimit përkatës të Hoxhës për t`u zgjedhur UD e Dekanes ështe irrelevante në këtë rast.

“Për me marrë postin e Dekanit duhet të paktën Profesor Asistent, mirëpo këta të tre të këtyre fakulteteve nuk e kanë postin e dekanit, por të ushtruesit të detyres”.

Ai po ashtu, theksoi se mungesa e këshillit të fakultetit është si pasojë e mungesës së stafit, ndërsa lidhur me ankesat e tjera, ai tha se janë në shqyrtim të shkresës zyrtare.

“Këto pretendime për të cilat ka shkruar profesori i nderuar ne nuk kemi qenë në dijeni, nuk kemi pasur asnjë ankesë, asnjë informacion për problemet e tilla. Tash ne si menaxhment do të trajtojmë dhe jemi duke e trajtuar shkresën e tij”, ka thënë Jashari.

Lidhur me pretendimet për mungesën e kualifikimit të ish-UD të Dekanes në Fakultetin e Edukimit, KALLXO.com kontaktoi edhe Fatbardha Hoxhën, e cila tha se qëndron prapa përgjigjes që e ka dhënë përfaqësuesi i rektoratit.