Produktet evropiane nuk vijnë në Ballkan me të njëjtë cilësi

Një pjesë e prodhimeve që shiten në vendet e Ballkanit si brende të njohura, nuk posedojnë të njëjtën cilësi ashtu siç shiten në tregjet e vendeve evropiane.

Lajme

20/05/2014 22:51

Siç raporton gazeta \”Koha\” e Shkupit, duke cituar ekspertët, kjo është praktikë e kompanive të mëdha, të cilat prodhimin e dedikojnë enkas për tregun e Ballkanit dhe Evropën lindore.

Sipas ekspertëve, prodhuesit nuk kanë obligim që të shesin mall me të njëjtën cilësi në të gjitha vendet e BE-së, por kryesorja është që të respektohen parimet themelore që garantojnë sigurinë e prodhimeve ushqimore, si dhe respektimin e etiketimit të drejtë të mallit.

Në Shoqatën e Konsumatorëve të Maqedonisë thonë se janë të pakta ankesat e tilla nga konsumatorët lidhur me kualitetin e dobët të mallit që vjen nga BE, por megjithatë kjo nuk do të thotë se kjo dukuri nuk është prezente në tregun e Maqedonisë.

“Edhe ne e kemi vërejtur dallimin e cilësisë së një pjese të prodhimeve në Maqedoni e rajon në raport me Bashkimin Evropian. Kjo çështje nuk prek vetëm vendet e Ballkanit, por si problem është ngritur edhe në raport të shteteve të reja dhe të vjetra anëtare të BE-së”, tha për \”Koha\” Marija Llonçar-Velkova, kryetare e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë.

Dallimin në cilësi të prodhimeve mund ta vërejnë edhe mërgimtarët, si dhe qytetarët e tjerë që udhëtojnë te të afërmit e tyre në Evropën perëndimore, të cilët kanë konstatuar se, për shembull, markat e njohura të çokollatës në tregun e rajonit shpesh kanë më pak kakao se në vendet e Evropës perëndimore, detergjentet lajnë më dobët, ndërsa “Nutella” për tregun e Evropës juglindore shitet me përmbajtje më të vogël të lajthisë.

Dallimet në kualitet të prodhimeve shpjegohen edhe me hulumtimet e tregut, që nënkupton se prodhimet janë të përshtatura sipas nevojave dhe kërkesave të ndonjë hapësire gjeografike.

Të njëjtat dallimet janë theksuar edhe në anëtarët e reja të BE-së, si Kroacia, ku konsumatorët në këtë shtet ankohen se blejnë prodhime jo të dedikuara për perëndimin, por të dedikuara për tregun e Evropës Lindore.

“Në rast se prodhimi me cilësi më të ulët akoma kënaq kriteret e sigurisë në nivel evropian dhe nëse posedon përmbajtjen e qartë dhe të vërtetë, atëherë në këto dy raste nuk ka hapësirë për aksione juridike”, është shprehur komisari evropian për mbrojtjen e konsumatorëve, kroati Neven Mimica.