Produktet e miellit bëhen me banderola

Produkteve të barnave, cigareve, alkoolit, do të iu shtohet edhe produkti i miellit që do të ketë banderolën e institucioneve të Kosovës.

Lajme

17/11/2016 09:30

Muharrem Shahini nga Ministria e Financave, ka bërë me dije se MF-ja Ministria e Financave ka zhvilluar takime të rregullta me Odat ekonomike dhe shoqatat e bizneseve ku dhe kanë ardhur në përfundim se është më se e nevojshme që të mbrohen bizneset në Kosovë dhe të kenë trajtim të njëjtë si dhe janë dakorduar për vendosjen e banderolave në çdo paketim të miellit që qarkullon në Kosovë.

“Kështu që në Ministrinë e Financave për këtë çështje është krijuar edhe  grupi punues i cili edhe ka përgatitur sugjerimet lidhur me vendosjen e banderolave në çdo paketim të miellit që qarkullon në Kosovë, dhe si i tillë pritet që  të procedohet me tej”, ka thënë Shahini për RTKlive.

Shahini, ka bërë me dije se sa i përket kalendarit të akcizave në bazë të Vendimit të Qeverisë Nr.01/64 të datës 16.12. 2015 janë të përcaktuara sipas një kalendari deri në vitin 2019 .

Kurse Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se është mirë që edhe produktet e tjera të kenë banderolë, pasi që do të jetë më mirë edhe për qytetarët dhe shëndetin e tyre.

“Shumë produktet në Ballkan, kanë kontroll më të madhe, edhe propozimi për vendosje të banderolave në produktet e miellit, do të jetë me efekt pozitiv dhe besoj që kjo do të jetë në shërbim të kontrolleve më të mira për produktet”, ka thënë ai.

Edhe njohësi i zhvillimeve ekonomike, Jakup Bellaqa, e ka vlerësuar si hap pozitiv propozimin për vendosje të banderolave në paketime të mielli, pasi që sipas tij do ndikojë direkt në shëndetin e popullsisë së Kosovës.

“Mielli është ushqimi primarë dhe jetikë dhe i domosdoshëm pa të cilin nuk mund të jeton njeriu dhe kjo do të thotë se mielli me banderolë është i kontrolluar nga ana e shtetit dhe më i sigurt për ushqim. Mielli cilësor edhe shëndeti është vital”, ka theksuar Bellaqa për RTKlive.