Prodhuesit vjedhin konsumatorët edhe në peshë të produktit

Konsumatorët kosovarë shpesh herë nuk e marrin atë që e paguajnë. Ata në shumë raste blejnë akull në vend të produkteve të mishit, duke u mashtruar kështu me sasinë e produktit që e blejnë.

Lajme

11/02/2015 19:52

Mashtrimi ndaj konsumatorëve nuk ndalet me kaq. Ata në disa raste janë mashtruar edhe në paketimet e miellit dhe sheqerit.

Këtë të fundit për Gazetën Tribuna e ka pranuar kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Lulzim Syla.

Ai ka sqaruar se kanë hasur në mashtrime me sasinë e miellit dhe sheqerit të paketuar.

“Ju njoftojmë se menjëherë kemi ndërmarrë masat e parapara me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Produkteve të tilla iu ndalohet shitja në treg, largohen nga tregu, ripaketohen, verifikohen dhe kur të eliminohen parregullsitë, përkatësisht plotësohet pesha e produktit, iu lejohet kthimi në treg, kurse ndaj subjektit afarist i cili ka bërë shkelje ndërmerren edhe masat tjera ligjore”, ka thënë Syla.

Ai ka sqaruar se Inspektorati i tregut në vazhdimësi bën inspektime në treg, në mënyrë që konsumatorët të kenë siguri në konsumimin e të gjitha produkteve që ofron tregu.

Konsumatorët gjithashtu janë mashtruar dhe me sasinë e peshkut të paketuar.

Një paketim i këtij peshku prej 350 gramësh, kur t’i hiqet akulli, thuhet se nuk peshon më shumë se 170 gramë.

Kjo është vërejtur nga një vend fqinj, mirëpo kësi lloj peshku besohet se ka edhe në tregun e Kosovës.

Sipas një analize të thjesht, nëse një konsumator blen këto produkte të paktën 10 herë në muaj, kjo do të thotë se ai konsumator për periudhën e mashtrimit do të humbasë rreth 140 euro në vit.