Prodhuesit e qumështit: Neglizhenca e AUV-së po i mbyll fermat e Kosovës

Fermerët e Kosovës i përkrahin plotësisht kërkesat dhe shqetësime e Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës lidhur me papërgjegjësinë e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës (AUV).

Lajme

12/04/2018 14:07

“Ekzistenca e 2500 fermerëve të Kosovës është rrezikuar vazhdimisht për shkak të mungesës së vullnetit të AUV-së për t’i trajtuar shkeljet që janë duke u bërë në sektorin e qumështit që sa e sa vite nga prodhues dhe importues të papërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Fermerëve Kosova të Qumështit.

Kjo problematikë nuk është e re dhe ne vazhdimisht kemi njoftuar organet relevante, por kjo rrezikon që të margjinalizohet pikërisht për shkak të mungesës së angazhimit të AUV-së që të mbrojë konusmatorin vendor nga rreziqet e produkteve me përmbajtje të dyshimtë.

E bëjmë me dije Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjerë se në vazhdimësi ka rënie të prodhimtarisë vendore të qumështit dhe mbyllje të fermave, për shkak të konkurrencës së padrejtë që na është bërë nga produktet me vaj palme dhe përbërës të tjerë që përveç rrezikshmërisë ekonomike kanë edhe rrezikshmëri shëndetësore.

Për shkak të kësaj neglizhence sa për ilustrim, tani në Kosovë prodhohen 20 milionë litra më pak qumësht sesa në vitin 2014.

Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës se është momenti i fundit që të ndërmarrë masa sa më shpejt në drejtim të funksionalizimit ët AUV-së.

Duhet të kihet parasysh se 2500 fermerë kosovarë nënkuptojnë 2500 familje kosovare dhe disa mijëra kosovarë të tjerë të punësuar në këto ferma.

Andaj mosfunksionalizimi i AUV-së rrezikon mbylljen e mëtejshme të fermave tona dhe ekzistencën e mijëra të punësuarve në to, thuhet në fund të reagimit të nënshkruar nga Besim Kuqi. /Lajmi.net/