Prodhuesi turk i mobileve në Mitrovicë synon punësimin e 100 punëtorëve

Pronari i Fabrikës së mobileve dhe përpunimit të drurit "Modus Kosova", Zekirja Seker, nga Antalya e Turqisë, i cili ka hapur fabrikën në Mitrovicë në korrik të vitit të kaluar, tash planifikon zgjerimin e kapaciteteve që do të rezultojë me punësimin e rreth 100 punëtorëve të tjerë.

Lajme

25/02/2015 21:16

Gjatë një takimi që e realizoi të mërkurën me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, biznesmeni turk ka prezantuar planin e tij për ndërtimin e një objekti të ri, që mendohet të shtrihet në hapësirën prej 50 ari.

“Do të vazhdojmë të prodhojmë pjesë të mobileve, garnitura, tavolina dhe këmbë të tavolinave e karrigeve, që të gjitha për eksport në Turqi. Synojmë ndërtimin e një objekti të ri për zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit, ku planifikojmë të punësojmë edhe 100 të rinj”, ka thënë mes tjerash Seker.

Sipas fjalëve të tij, fabrika e re të gjitha prodhimet do t’i eksportonte jashtë Kosovës, ndërkaq do të prodhojë edhe material për djegie nga mbetja e përpunimit të drurit dhe tallashit.

Bahtiri tha se Komuna është e hapur për të mbështetur investimet, posaçërisht të kapaciteteve që gjenerojnë vende të reja pune.

Sipas tij, do të shqyrtohet kërkesa për lokacion dhe dhënie me qira të tokës, dhe më pas Kuvendi i Komunës do të vendosë për këtë, raporton Kosovapress.