Prodhimi i stabilitetit politik

Do të ishte gabim të mendohet që tashmë kemi hyrë në një periudhë të stabilitetit politik. Ky stabilitet është në mungesë të vazhdueshme ndër ne, objektivisht, qysh prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit të para dy viteve.

Opinion

07/04/2016 09:56

Në një hulumtim të bërë kohëve të fundit për ‘nervin’ politik të qytetarëve të Kosovës (i cili ende nuk është bërë publik), çfarë bën, në realitet, më së shumti përshtypje, janë dy të dhëna sinjifikative, të cilat dëshmojnë që skena politike kosovare, në gjendjen e muajve të fundit, të thuash, ka humbur busullën e orientimit në kohë dhe në hapësirë.

Konkludimi i parë nuk është aspak befasues, apo, ai ka qenë i këtillë në të gjitha ndërmarrjet e ngjashme në kërkim të opinionit të qytetarëve të Kosovës. Prioritet absolut i respondentëve në këtë hulumtim janë temat sociale, papunësia dhe luftimi i korrupsionit. Tema këto pra që dyzojnë Sundimin e Ligjit me zhvillimin e domosdoshëm ekonomik, kushte këto të pashmangshme për ta ndryshuar gjendjen sociale.

Çështjet e tjera, të cilat ndryshe kanë zënë të thuash 90% të kohës sonë në tetë muajtë e mbramë, janë shumë prapa këtyre preokupimeve ditore të qytetarëve të rëndomtë.

Konkludimi i dytë poashtu nuk ka si të klasifikohet si i papritur. Përkundrazi. Pra, në këtë hulumtim doli që mbi 85% të pjesëmarrësve, duan që problemet ekzistuese politike të zgjidhen në një dialog të mirëfilltë politik në mes të partive politike në vend, atyre që bëjnë Qeverinë dhe atyre që janë në opozitë.

Është kjo një porosi shumë e qartë e qytetarëve të Kosovës për zhvillimet politike në vend. Diçka e tillë është e logjikshme dhe e pritur, kudo ku ka demokraci.

Konkludimi i tretë, që në fakt është dyzim i këtyre dy të parëve, na shfaqet në trajtë të një dëshmie, sipër rezultateve të përmendura më parë, për mungesën e qëndrueshmërisë politike dhe ekonomike të Kosovës, dhe për ç’orientimin e politikës kosovare, si në vetë mënyrën se si është provuar të adresohen dhe zgjidhen preokupimet kryesore të kësaj politike, por edhe në vetë drejtimin që ka marrë kjo politikë thuaja që prej zgjedhjeve të vitit 2014.

Kushdo që provon të bëjë krahasimin e qasjes dhe e synimeve politike të thuaja të gjitha entiteve kosovare në pranverën parazgjedhore të vitit 2014, me atë që doli në shesh gjatë verës së atij viti dhe më pas, hasë në situata që objektivisht janë shokante. Në majin e atij viti, 99% e interesimit të të gjitha subjekteve garuese në zgjedhje, ishin ekonomia, statusi social, hapja e vendeve të reja të punës, sundimi i ligjit. Mund të duket teprim, por po del që prej vjeshtës së vitit të shkuar e tutje, kjo përqindje (e interesimit për këto tema), ka rënë në 9%, në mos edhe më pak.

Në realitet, ky zëri i qytetarit të rëndomtë, i votuesit potencial, bazuar edhe në hulumtimin e përmendur tashmë, është një rekomandim më i mirë i mundshëm, si për partitë që udhëheqim ne Qeverinë, ashtu edhe me ato që janë në opozitë.

Marsi i këtij viti, për shkaqe të njohura, doli të jetë muaji më i qetë politik që nga vjeshta e vitit 2015-të. Nuk ka shenja që shumëçka do të ndryshojë në këtë aspekt tash e tutje. Por, do të ishte gabim të mendohet që tashmë kemi hyrë, si skenë politike dhe si shoqëri, në një periudhë të stabilitetit politik. Ky stabilitet është në mungesë të vazhdueshme ndër ne, objektivisht, qysh prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit të para dy viteve. Ai tek duhet të ‘prodhohet’ prej vet nesh dhe mënyra e vetme për ta bërë një gjë të tillë është instalimi i dialogut të njëmendtë politik, i cili do të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse krijon mekanizma të qartë parlamentarë dhe afate të sakta kohore, për zgjidhjen e temave kryesore politike. Lista e tyre natyrisht duhet të jetë çështje dakordimi midis pjesëmarrësve në këtë dialog i cili duhet të nisë sa më parë. Por, gjithnjë e më shumë po kuptohet që pjesë e këtij dialogu duhet gjithsesi të jenë dy temat të trajtuara goxha mirë në komisionet parlamentare, në vitin 2012, që kishin të bëjnë me përgatitjen e Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, dhe me amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës për detyrën e Presidentit të Kosovës.

Kosova tash ka mundësi të kërkojë edhe ndihmën e Komisionit të Venecias në përmbylljen e këtyre dy temave shumë të rëndësishme.

Natyrisht, dialogu si i tillë, jo vetëm që mund të ofrojë tema të reja dhe zgjidhje të reja, por gjithashtu, do të sigurojë një cilësi të re politike në vend, krejtësisht deficitare që prej vitit 2014 e këndej. (Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)