Prodhimet vendore janë të sigurta dhe cilësore

Valdet Gjinoci thotë se heqja e produkteve refuz nga tregu i prodhimit kosovar është shembull i mirë rajonal për këtë aspekt. Sipas tij, ideja nga AUV ka qenë që të respektohet standardi i vendeve të zhvilluara. Thotë se prodhimet vendore janë të sigurta.

Lajme

25/02/2014 09:38

Ushqimet e mishit dhe peshkut që kanë pasur nevojë t’u nënshtrohen temperaturave të ngrirjes nuk do të gjenden më në tregjet kosovare, duke u shitur si refuzo, siç ka ndodhur deri më tash.

Kështu ka qartësuar edhe njëherë drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, i cili tregon për gjendjen e prodhimeve të cilat do të lejohen tash e tutje në treg.

“Tani e tutje produktet të cilat do të lejohen, do të shiten të paketuara, dhe jo ashtu siç kanë qenë, refuz, kuptohet në pikat e shitjes me pakicë. Gjithherë duhet të jenë të paketuara dhe nuk do të lejohen që të shiten me refuzo si kanë qenë më herët”, tha ai në Klan Kosova.

“Gjithmonë bëhet fjalë për produktet të cilat janë në gjendje të ngrirë, produktet të cilat ju nënshtrohen temperaturave të ngrirjes, produkte të cilat kërkojnë kushte specifike të ruajtjes, gjithherë duke pasur parasysh edhe moskompromitimin e zinxhirit ushqimor”.

Kjo, sipas Gjinocit, ka qenë ide për t’u bërë shembull i mirë në rajon. Në përgjithësi, produktet vendore, ai i konsideron si mjaft cilësore dhe të sigurta, ngase vijnë në një rrugë shumë më të shkurtër prodhim-konsumator.

“Ideja ka qenë që të jemi edhe ne një shembull i mirë në rajon dhe të veprohet gjithherë duke i zbatuar këto standarde të cilat i zbatojnë edhe vendet e zhvilluara”.

“Janë produkte të cilat janë me produktet e vendeve të zhvilluara dhe por edhe me vende të Bashkimit Europian, njëherit produktet vendore kur e shohim rrugën të cilën e bëjnë gjatë importit, që kalojnë me kilometra dhe kur e shohim rrugën e produkteve që e bëjnë nga prodhimi tek konsumatori atëherë vetë përgjigja qëndron në rrugën e shkurtër të komunikimit, nga prodhimi tek konsumatori.

“Prodhimet vendore sot për sot konsiderohen prodhime të sigurta, prodhime mjaft cilësore”, ka thënë Gjinovci për KlanKosovën.