Procesi zgjedhor i LDK-së në Gjilan nis me aderimin e 350 grave

Procesi zgjedhor i brendshëm i Degës së LDK-së në Gjilan ka nisur sot zyrtarisht me aderimin e 350 grave gjilanase në Konventën së Forumit të Gruas të mbajtur sot, në të cilën ka marrë pjesë kryetari i Degës dhe i Komunës, Lutfi Haziri, kryetarja e FG-së, njëherit kryesuese e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi, si dhe aktiviste e veprimtare të partisë.

Lajme

28/03/2015 16:44

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së në Gjilan, Valentina Bunjaku Rexhepi u ka uruar mirëseardhje 350 grave aderuese.

“Meqë jemi në muajin zgjedhor të LDK-së, ju ftoj të gjitha grave, simpatizantëve të LDK-së, të angazhoheni, të kontribuoni në nëndegët tuaja dhe të ngritni zërin ashtu siç meriton gruaja gjilanase. Ju edhe njëherë dëshmuar se dini dhe mundeni t’i ecni proceset përpara. Gruaja në LDK nuk është vetëm figurë, por ka hapësirë të veprimit, duke e falënderuar kryetarin Haziri për hapësirën që u ka dhënë të gjithave. Jam shumë e lumtur që sot t’i uroj mirëseardhje 350 grave aderuese, të cilat janë motivuar nga puna jonë e mirë, duke dëshmuar se gruaja në Gjilan ka hapësirë të veprimit”, tha kryetarja e FG së LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi.

Mirëseardhje aderuese të reja në LDK i ka uruar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherit kryetar i Komunës, Lutfi Haziri, i cili i siguroi ato se të gjitha janë të barabarta, duke thënë se nuk ka aktivistë të vjetër e të ri, por ka aktivistë të barabartë.

Ai tha se kjo Konventë e madhe e gruas, është thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje, në çdo lagje, në çdo fshat, duke ftuar gratë dhe vajzat që të konkurrojnë që të jenë të votuara, e të zgjedhura, për t’u bërë gati që të udhëheqin edhe institucione të tjera.

“Ky tubim duhet ta bëjë jehonën, thirrjen dhe angazhimin tuaj për zgjedhjet e brendshme në LDK. Janë zgjedhje që në 25 vjetët e ecjes së LDK-së, secili prej neve që jemi këtu, nëse kthehet pak prapa dhe mendon, del që rruga ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Rruga jonë ka qenë luftë dhe rrugë politike që është sfiduar deri në sakrificë. Sot e përkujtojmë kryengritësin e Gjilanit Agim Rashitin në 26 vjetorin e rënies, pastaj Reshat Ymerin e Enver Ramadanin, sot përkujtojmë ekzodin dhe martirët e vitit 1998-1999. Sot ka shumë nëna e baballarë që rrisin jetimë. Por, një grua fuqishme si ju, që është shtyllë e familjes dhe e cila merr mbi vete të ndërtoj jetën, përkundër kësaj sacrifice, tregon qartë se sa e sigurt është familja në Gjilan, jo falë burrave, por falë grave. Ju na bëni më të fortë, më të fuqishëm dhe na trimëroni në realizimin e objektivave tona. Deri në gjunjëzim i përkulem sot sakrificës së grave, nënave dhe të rejave të Gjilanit sepse për këto 25 vjet sa unë jam i angazhuar, asnjëherë nuk kemi qenë vetëm, por bashkë me ju dhe qindra mijëra gra që nuk janë këtu. I siguroj aderueset e reja se të gjitha janë të barabarta në shtëpinë tonë, nuk ka aktivistë të vjetër e të rinj, por ka aktivistë të barabartë”, tha Haziri.

Kreu i LDK-së në Gjilan dhe njëherit kryetar i Komunës, në këtë 25 vjetor të themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, ka përkujtuar liderin dhe ideologun e lëvizjes, apo siq e ka quajtur ai, babain themeltar të shtetit të Kosovës, presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.