Procedurë për pallton e policit

Polici i stacionit numër 4 u desh të shkojë në punë me xhemper, derisa iu dha palltoja e re dimërore, pasi kishte vetëm një pallto të tillë. Pallto e vjetër doli jashtë përdorimit kur protestuest hodhën ngjyrë mbi policët në protestën e zhvilluar para UP'së.

Lajme

15/03/2014 08:23

Disa ditë kishte shkuar në punë pa pallto të dimrit. Por ajo doli jashtë përdorimit ditën kur protestuest hodhën ngjyrë mbi policët në protestën e zhvilluar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, më 8 shkurt të këtij viti. Polici i stacionit numër 4 u desh të shkojë në punë me xhemper, derisa iu dha palltoja e re dimërore, pasi kishte vetëm një pallto të tillë, shkruan Tribuna.

“Janë disa procedura që duhet të ndjekim. Së pari duhet të raportojmë e pastaj derisa të vijnë rrobat duhet të presim”, thotë polici i cili nuk deshi që të identifikohet me emër për opinion.

Por dëmtimi i uniformave të policisë nuk ndodh vetëm në protesta e aksione. Ato dëmtohen edhe nga larja e shpeshtë dhe shlyerja e ngjyrës. Megjithatë, jo shpesh marrin uniforma të reja. Policët pajisen me rroba të reja dy herë në vit.

Një herë në pranverë dhe një herë në stinën e dimrit. Por zyrtarisht në Polici nuk tregojnë se sa herë në vit policët pajisen me uniforma. “Çështja e pajisjes me uniformë për pjesëtaret e Policisë se Kosovës është e rregulluar me parime të brendshme të Policisë dhe varësisht nga pajisja në fjalë ndryshon afati i furnizimit”, tha për “Tribunën” zëdhënësi Brahim Sadriu.

Sa i përket dëmtimeve të uniformave, Sadriu tha se policët janë të obliguar të raportojnë dhe t’i marrin të reja.