Procedura disiplinore kundër 40 zyrtarëve doganorë

Vetëm gjatë këtij viti Dogana e Kosovës ka hapur rreth 19 raste disiplinore për rreth 40 zyrtarë të saj të dyshuar për shkelje të procedurave doganore.

Lajme

24/05/2015 11:06

Këtë e bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Rastet, sipas tij, kanë të bëjnë me korrupsion, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të ndryshme të Rregullores së punës së Doganës dhe shkelje tjera ligjore.

“Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2014, ka rritur aktivitetet e saj në luftimin e dukurive negative brenda Doganës. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur 42 raste të procedurave të ndryshme disiplinore kundër zyrtarëve doganorë”.

“Në këto raste kanë qenë të përfshirë mbi 80 zyrtarë, ku 11 prej tyre janë dërguar në procedura të mëtejme në Prokurori. Gjatë vitit 2014, Dogana ka ndërmarrë 17 raste të suspendimit të doganierëve”.

“Në vitin 2015 e deri më tani, kemi hapur 19 raste disiplinore, në të cilat dyshohet se janë të përfshirë mbi 36 zyrtarë, ku kemi procedurë penale në dy raste me nga pesë zyrtarë”, bën të ditur Stavileci.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, thonë se me gjithë faktin se ka pasur hapa pozitivë në zvogëlimin e nivelit të ekonomisë joformale, ende ka hapësirë për mobilizim dhe angazhim për të luftuar këto dukuri negative.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha për Radion Evropa e Lirë se  dukuritë negative, siç janë këto që paraqiten brenda institucioneve, si Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë të dëmshme për zhvillimin e bizneseve.

“Zakonisht, flitet për masa jo shumë konkrete dhe efikase në luftimin e korrupsionit. Shifrat e tilla të suspendimit të doganierëve nuk janë të kënaqshme, meqenëse ka prani edhe më të madhe të korrupsionit dhe të veprimeve tjera të kundërligjshme. Megjithatë, japin një sinjal shprese se ka institucione që kanë marrë masa për parandalimin e këtyre dukurive brenda institucioneve të tyre ”, thotë Zeka.