Problemet duan zgjidhje

Çdo problem, sidomos ato me karakter politik që janë të rëndësishme për ecurinë, konsolidimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës, nuk mund të anashkalohen, të zvarriten apo të injorohen. Trajtimi i tyre kërkon seriozitet institucional, maturi dhe përgjegjshmëri para gjithë shtetasve dhe bashkësisë shtetërore ndërkombëtare. Përndryshe shmangia e përballjes me problemet tona të njohura me fqinjët, me Malin e Zi dhe Serbinë, i shndërron këto çështje në konflikt. Dihet që rrugëzgjidhja e konfliktit nuk e ka të lehtë të pranojë si të tillë dialogun.

Opinion

01/04/2017 12:18

Për rreth 2 vjet funksionimi normal i shtetit tonë ka mbetur dhe vazhdon të mbetet peng i mosgjetjes së zgjidhjeve për problemet ndërshtetërore me fqinjët. Kundërshtimi dhe mospranimi i projekteve të parashtruara për t’u diskutuar me opozitën në vendin tonë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të përbashkët, vazhdon të krijojë ngërç. E njëjta dukuri, gati identike, është demonstruar edhe në politikën beogradase. Palët në konflikt, që deklarohen botërisht për dialogun si rrugëzgjidhje e vetme për zgjidhjen e problemeve mes tyre, realisht janë pengues të dialogut. Këtë e dinë të gjithë: E dinë qytetarët dhe politikanët në Kosovë. E dinë pushtetarët dhe qytetarët në Serbi. E dinë organizmat dhe strukturat prestigjoze evropiane, BE-ja dhe KE-ja. E di dhe e konfirmon zyrtarisht edhe OKB-ja. Sekretari i Përgjthshëm i kësaj organizate botërore deklaroi se konflikti mes Serbisë dhe Kosovës mbetet i hapur për arsye të shmangies e mospranimit nga politika aktuale e dy vendeve. Ky konstatim është realist. Bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, të zhvilluara nën kujdesin e këmbënguljen e tyre kanë jo pak kohë që kanë ngecur. Dy-tri takimet më të fundit mes përfaqësuesve të lartë të dy shteteve në Bruksel mendoj se nuk kanë qënë vazhdim dhe as pjesë e dialogut, sepse realisht nuk kanë dhënë ndonjë kontribut. Dy takimet mes presidentëve dhe kryeministrave kanë qënë në thelb manifestime publike të palëve në konflikt për të dëshmuar dakordësinë për vlerën dhe vazhdimësinë e dialogut, me synimin e pathënë nga secili për të marrë nga BE-ja “medaljen e paqësorit” për zgjidhjen e problemeve mes dy shteteve. Besoj se demokracitë evropiane e dinë dhe e mirëkuptojnë “bllofin” serb për të ashtuquajturin e rrezikut të paqes në Ballkan nga Kosova, që ngjason me prallën shqiptare të “ujkut me qengjin”, ku, siç dihet “ujku” i Ballkanit ka qenë historikisht Serbia.

Për ne, për Kosovën zgjidhja e problemeve me Serbinë është në plan të parë, por në vëmendje të miqve tanë euroatlantikë dhe më i dëmshëm për ecurinë politike-ekonomike e sociale të Kosovës aktualisht është zgjidhja e vendosjes së vijës së demarkacionit me Malin e Zi. Përcaktimi i vijës kufitare me fqinjin tonë është trajtuar institucionalisht dhe shtetërisht, por njëherësh është ndeshur me kundërshtimin e vazhdueshëm të opozitës politike. Zgjidhja e këtij problemi, që lidhet me integritetin territorial të shtetit dhe prek ndjeshmërinë etno-shpirtërore të shqiptarëve, faktikisht ka përjashtuar dialogun, duke e zëvëndësuar atë me mjete konfliktuale. Konfliktualiteti politik e dëmton drejtpërsëdrejti demokracinë tonë të brishtë dhe natyrshëm, shqetëson edhe miqtë tanë ndërkombëtarë për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës shtet. Kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini, gjatë vizitës së paradokoshme në Prishtinë, e veçoi moszgjidhjen e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi si njërën prej dy kërkesave të pazgjidhura për liberalizimin e vizave dhe si pengesë të progresit në çështje të tjera të shumta me rëndësi për qytetarët.

E veçova këtë çështje për të theksuar domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve përmes dialogut të forcave të brendshme politike në mirëkuptim dhe konsulencë të drejtpërdrejtë me aleatët tanë strategjikë. Teoria  dhe praktika historike e zhvillimeve demokratike, që natyrshëm janë ndeshur e janë përballur me probleme jo të lehta, kanë pranuar e afirmuar si rrugë të vetme zgjidhëse, dialogun, që është rrugëzgjidhja e problemeve në demokraci. I tillë është jo vetëm në demokracitë e përparuara euroatlantike, por dhe për ne, për demokracitë ende të brishta të Ballkanit Perëndimor. Është veçanërisht i domosdoshëm për shtetin tonë të ri, që ligjërisht dhe shpirtërisht aspiron të ndërtojë dhe konsolidojë një shtet e shoqëri demokratike. Sidomos te ne në Kosovë konflikti, konfrontimi politik i lë problemet pa zgjidhje. Por një problem i lënë pa zgjidhje një problem “i ngrirë” është shumë më i dëmshëm se sa një problem i zgjidhur jo mirë. Një zgjidhje, qoftë dhe “e keqe” është më e mirë se sa “ngrirja”, sepse ballafaqimi me të keqen të detyron të reflektosh dhe të kërkosh një tjetër zgjidhje. Problemet e Kosovës, që sjanë të pakta, presin zgjidhje. E presin nga ne partitë politike parlamentare dhe joparlamentare. Salla e Kuvendit dhe tavolinat dialoguese ndërpartiake janë mundësi legale dhe hapësira demokratike për zhvillimin e dialogut dhe rezultatin progresiv të tij në interes të Kosovës.

 

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)