Probleme të shumta në Universitetin e Gjakovës

Në mbledhjen e fundit të Senatit të Universitetit të Gjakovës, stafi akademik i këtij universiteti ka hedhur votëbesim për anëtarët e Këshillit Drejtues, me ç’rast edhe me shumicë votash është votuar kundër Këshillit Drejtues momental.

Lajme

02/10/2015 17:30

Anëtari i këtij senati, profesori Fridrik Dulaj, ka treguar për lajmi.net se më pas senati, ndonëse nën kushte të vështira, ka zgjedhur Këshillin e ri Drejtues.

“Ndonëse në kushte të vështira dhe nën kërcënimin e U.D .Sekretares , e cila pengonte punën e Senatit dhe kërcënonte punëtorët e administratës së UGJFA-së në kryerjen e punëve zyrtare. Senati zhvilloi punimet dhe mbajti mbledhjen për zgjedhjen e anëtarëve për Këshillin Drejtues. Dhe me shumicë votash Senati zgjodhi katër anëtarët e Këshillit Drejtues, të dalë nga vota legjitime. Dhe ata janë: Besim Muhadri, Lëndita Kryeziu, Petrit Duraj, Bylbyl Kadriaj”, ka thënë Dulaj.

Sipas tij, Këshilli Drejtues paraprak është larguar me vota të Senatit të UFGJA-së, pasi që në zgjedhjet e atij këshilli kishin marrë pjesë dhe kishin votuar edhe persona të paautorizuar.

“Në mbledhjen e Senatit të rregullt, kishin marrë pjesë në mbledhje, kishin propozuar dhe votuar për Këshillin Drejtuese, persona të paautorizuar (U.D. Rektori, U.D. Prorektori Bekim Berisha dhe U.D. Prorektori Fahredin Shabani, i cili në atë kohë kishte qenë edhe në Universitetin e Prizrenit”, ka thënë ai, raporton lajmi.net.

Dulaj më tutje ka kritikuar edhe ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami, që po bënë ndërhyrje politike në këtë universitet. /lajmi.net