Probleme financiare në arsim për shkak të rritjes së pagave

Sektori i arsimit parauniversitar dhe ai universitar po përballen me probleme të mëdha financiare.

Lajme

29/09/2014 20:32

E krejt kjo për shkak të vendimit për rritjen e pagave për mësimdhënës dhe ulja e tarifave për regjistrimin e studentëve.

Në Komunën e Podujevës thonë se mjetet e dedikuara për mallra dhe shërbime po detyrohen t’i përdorin për pagat me rritje për mësimdhënësit, gjë që ka vështirësuar furnizimin e shkollave me materiale të nevojshme, raporton KTV.

Gjithashtu, sipas tyre, për t’i paguar mësimdhënësit është dashur të heqin dorë nga linjat buxhetore të parapara për disa projekte kapitale.

Ndërkohë, eksperti i fushës së arsimit, Xhavit Rexhaj thotë se kriza financiare ka kapluar të gjitha institucionet arsimore në vend. Sipas tij, situatë alarmuese paraqitet edhe në universitetet publike dhe në Qendrën e Studentëve, ku u janë marrë mjetet nga të hyrat vetjake dhe nga pjesa për mallra dhe shërbime.

Mosplanifikimi i mirëfilltë i buxhetit sjell te vendimi për rialokimin e mjeteve, e që, sipas Rexhajt, ky veprim mbyll një vrimë, por hap një tjetër.

Se UP-ja përballet me vështirësi financiare e kanë thënë në vazhdimësi edhe zyrtarë të Rektoratit. Mirëpo, Ministria e Arsimit përsërit qëndrimin se nuk do të ketë krizë financiare në fushën e arsimit, duke u zotuar se nuk do të cenohen pagat për profesorët universitarë dhe shpenzimet e tjera kapitale, raporton KTV.