Problem i madh për Kosovën në ndeshjen kundër Kroacisë

Skuadra e Albert Bunjakit do të jetë e hendikepuar pa tre futbollistë për duelin e 6 tetorit, e cila do të zhvillohet në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Sport

21/09/2016 13:08

Përfaqësuesja e Kosovës nuk do të jetë e kompletuar për ndeshjet me Kroacinë dhe Ukrainën, që do të luhen muajin e ardhshëm.

Skuadra e Albert Bunjakit do të jetë e hendikepuar pa tre futbollistë për duelin e 6 tetorit, e cila do të zhvillohet në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Lajmin e ka bërë të ditur për “Zërin” përzgjedhësi i Përfaqësueses, Albert Bunjaki, i cili megjithatë po mundohet që mungesën e këtyre futbollistëve ta plotësojë me alternativat që ka në dispozicion.

“Ndaj Kroacisë do të na mungojnë Erton Fejzullahu, Loret Sadiku dhe Ilir Berisha”, ka thënë trajneri kosovar.

Ndër të tjera, ai e ka dhënë një lajm të mirë. “Besoj se Enis Alushi mund të jetë në dispozicion për ndeshjet me kroatët dhe ukrainasit”, ka nënvizuar trajneri kosovar.

Prurjet e reja

Për ndeshjet me Kroacinë dhe Ukrainën nuk ka vetëm lajme të këqija. Kjo pasi Kosova në këto ndeshje do të mundë të llogarisë edhe në super-sulmuesin Besart Berisha, i cili vendosi t’i thotë “Po” Kosovës, por që nuk mundi ta ndihmonte atë në ndeshje me Finlandën, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërkaq, skuadrën kosovare mund ta ndihmojnë edhe Arbër Zeneli, Atdhe Nuhiu, nëse e kompleton dokumentacionin etj. Nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë futbollist tjetër të zbresë në fushë në dy duelet e rëndësishme të tetorit.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.