Pro- rusët marrin kontrollin e Krimesë, thirrin Putinin për ndihmë

Kryeministri pro-rus i rajonit ukrainas të Krimesë tha sot se ka marrë kontrollin e të gjitha shërbimeve ushtarake, policore dhe të sigurisë në rajon dhe i bëri thirrje Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për ndihmë “në mbajtjen e paqes” atje.

Bota

01/03/2014 08:24

Apeli i Kryeministrit të gadishullit Krimesë vie pak orë pasi Presidenti i SHBA’ve, Barack Obama, paralajmëroi Moskën se “do të ketë kosto” në rast të intervenimit në Ukrainë.

Në një deklaratë të raportuar nga mediat lokale dhe ato ruse, Sergei Aksenov tha se forcat e armatosura, policia, shërbimi kombëtar i sigurisë dhe rojet kufitare do t’i përgjigjen vetëm urdhrave të tij.

Ai tha se secili komandant që nuk i bindet urdhrave të tij, duhet ta lëshojë postin.

“Duke e kuptuar përgjegjësinë për jetën dhe sigurinë e qytetarëve, i bëj thirrje Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për ndihmë në garantimin e paqes dhe qetësisë në territorin autonom të Republikës së Krimesë”, tha Aksenov.