Privatizim Odash

Oda Ekonomike e Kosovës do të privatizohet me një tender të hapur. Korrupsioni dhe informaliteti do të zyrtarizohen. Punëdhënësit do të kenë më shumë të drejta. Ky është vizioni i Partisë së Fortë për rimëkëmbjen ekonomike.

Lajme

25/10/2013 16:08

Kryetari Lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, i tregoi kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliut, se ka në plan privatizimin e këtij institucioni.

“Kjo duhet të bëhet me një tender të hapur, të cilin ne jemi të bindur që do ta fitojë një konzorcium mes partnerit tonë Al-Petlla dhe një konzorciumi gjerman i cili quhet Al-Axos Association, me të cilin ne jemi në bashkëpunim”

“Jemi të bindur që kjo do ta rrisë edhe efikasitetin e Odës Ekonomike, por edhe në njëfarë mënyre do ta bëjë atë ndarjen e qartë mes Shtetit dhe Odës, duke qenë se do të jetë private”.

Partia e Fortë Për mendon se dukuria e korrupsionit dhe informalitetit më së miri mund të eliminohet me anë të formalizimit të tyre.

“Ne e kemi paraparë edhe taksën për korrupsion, që do të jetë 8 %. Në këtë mënyrë, ajo do të jetë shumë më lehtë edhe të menaxhohet, por edhe të mbahet nën kontroll. Kuptohet, emri do t’i mbetet ndryshe”.

Arifaj tha se gjatë këtij takimi kanë folur për një çështje me rëndësi të madhe – ndërrimin e Ligjit të Punës.

“Mendojmë që punëdhënësi duhet të ketë më shumë të drejta, që ta kthejë nga pushimi punëtorin e tij sa herë të dojë, që të ketë mundësi dhe liri ta shkëpusë kontratën kurdo që e sheh të nevojshme, ndoshta pa paralajmërim”.

“Punëtori nuk e ka për ngut ta kuptojë kur largohet nga puna. Me rëndësi është të shkojë biznesi përpara, dhe në këtë mënyrë besojmë që vetë Ligji i Punës duhet të pasurohet shumë me të drejtat e punëdhënësit”.

Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se nga takimi me Kryetarin Lexhendar mori një input pozitiv për qasjen e tij pragmatike ndaj proceseve ekonomike.

“Ardhja e tij në OEK si Kryetar Legjendar në Komunën e Prishtinës, do të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës, në tërheqjen e investitorëve të huaj, do ta eliminojë informalitetin dhe ekonominë e kriminalizuar, dhe mbi të gjitha do ta përmirësojë imazhin e Kosovës karshi investitorëve të huaj”.