Pritet të arrestohen edhe katër imamë

Pas arrestimit të 40 të dyshuarve për terrorizëm, të hënën, mësohet se janë lëshuar urdhëresat për arrestim edhe për rreth 20 të tjerë, të dyshuar për terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes ndërfetare. 

Lajme

13/08/2014 09:58

Sipas burimeve të Kohës Ditore, në mesin e të dyshuarve ndaj të cilëve janë lëshuar fletarrestet, janë edhe disa hoxhallarë dhe drejtues të subjektit me bazë islamike, Lëvizjes Islamike Bashkohu (LISBA). 

“Në mesin e tyre janë drejtues të Lëvizjes Islamike Bashkohu të Fuad Ramiqit dhe të paktën katër imam xhamish, që dyshohen për veprat penale të nxitjes së urrejtjes, rekrutim për të luftuar me organizata terroriste dhe veprime tjera”.

Sipas gazetës në fjalë, këta imamë, me ndikim në Kosovë, që janë nga Prishtina, Gjilani dhe Mitrovica, dyshohen se kanë lidhje direkte me organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra.

“Policia e Kosovës i ka nën vëzhgim të dyshuarit. Ata pritet të arrestohen gjatë këtyre ditëve. Urdhëresat nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë lëshuar”, ka thënë një burim i Kohës Ditore.

Ndërkohë, 40 të arrestuarit e së hënës janë nxjerrë të martën para gjykatës, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Policia e Kosovës në një aksion të kryer mengjesin e së hënës, në tërë Kosovën, ka arrestuar dyzet (40) persona të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, ISIS dhe Al-Nusra.

Arrestimi i tyre nga Policia e Kosovës është bërë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale nga kapitulli “Veprat Penale Kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës Së Kosovës” i Kodit Penal të Kosovës.

Ky operacion, sipas Prokurorisë, është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Shumica e të arrestuarve sipas Prokurorisë kanë qenë pjestarë të ISIS dhe Al Nusra, ndërsa në cilësi të provave materiale janë konfiskuar edhe materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë mjete eksplozive, armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin.