Pritet rënie e interesave bankare nën normën prej 10 për qind

Me gjithë faktin se bankat komerciale që operojnë në Kosovë janë mjaft profitabile dhe me një qëndrueshmëri stabile, normat e kamatave për kredi vazhdojnë të jenë shumë të larta. Mirëpo, ekspertë të ekonomisë parashohin rënie të lartësisë së kamatave nën 10 për qind deri në fund të këtij viti. 

Lajme

10/07/2014 17:54

Ekspertët e çështjeve ekonomike konsiderojnë se tashmë ka hapësirë të mjaftueshme për uljen e niveli të interesit për kredi, por sipas tyre, institucionet financiare bëjnë marrëveshje për fiksim të kamatave.

Sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në tremujorin e parë të këtij viti normat e interesit për kredi ishin 11.6 për qind. Por, kjo varet nga banka dhe lloji kredisë, pasi normat e interesit arrijë deri në 15 për qind.

Eksperti për çështje financiare, Mejdi Bektashi, tha për Radion Evropa e Lirë se konkurrenca e pamjaftueshme në sektorin bankar ka bërë që kamatat për kredi të jenë të larta.

Megjithatë, ai konsideron se më licencimin edhe të dy bankave tjera komerciale, kamatat e kredive deri në fund të vitit do të arrijnë në njëshifrore (pra të jenë nën 10 për qind).

“Është edhe një fakt tjetër, që një pjesë e madhe e kapitalit të lirë të qytetarëve por edhe të institucioneve të Kosovës po deponohen në institucionet ndërkombëtare bankare me norma shumë të ulëta të interesit”.

“Me kthimin e këtyre mjeteve drejtpërdrejt do të rritej oferta e kapitalit të lirë që do të ndikonte në uljen rapide të normave të interesit. Unë shpresoj që në pjesën e katërt të këtij viti normat e interesit mesatarisht do të ulen në shifra njëshifrore”, theksoi Bektashi. 

Ndryshe, afër  500 mijë është numri i kredive të huazuara nga qytetarët në nëntë bankat komerciale, me një  vlerë prej 1.8 miliard euro, duke përfshirë këtu kredi të llojeve të ndryshme dhe kredit-kartelat.

Në anën tjetër, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, vlerëson se me kamatat aktuale, vetë bankat komerciale po rrezikojnë procesin e kthimit të kredive.

Në bazë të një hulumtimi të këtij subjekti ekonomik, Shahini tha se institucionet financiare bankare kanë marrëveshje gojore në mes vete për mbajtjen e nivelit të tashëm të kamatave të kredive.

“Natyrisht se këto ekzistojnë në të gjitha vendet por edhe në Kosovë. Ne kemi bërë hulumtime, indikatorët dhe shenjat flasin se nuk ka marrëveshje të shkruar, por ka marrëveshje gojore që janë ‘valide’ në mes tyre. Nuk do të dëshiroja që të ketë marrëveshje të tillë, por dyshimet gjithmonë ekzistojnë pasi që tash e disa vite interesat kanë mbetur në nivel të njëjtë”.

“Bizneset vazhdimisht po ankohen në banka dhe kemi më shumë se 25 për qind të bizneseve  që kanë falimentuar si pasojë e interesit dhe kredive që nuk kanë mundur t’i kthejnë në bankë”, bëri të ditur Shahini për REL.

Mejdi Bektashi thotë se raste të tilla ka pasur edhe në shtetet më të zhvilluara të BE-së,  por autoritete kompetente hulumtojnë tregun dhe ndëshkojnë bankat për marrëveshje të tilla.

“Në Kosovë nuk kemi ndonjë vendim të tillë, por bankat mund ta vërtetojnë se nuk ka marrëveshje të tillë vetëm me uljen e normave të interesit. Në fund të fundit, ky është obligim i institucionit përkatës që të kontrollojë konkurrencën dhe të zbatojë konkurrencën e lirë në mes të subjekteve bankare në tregun financiar të Kosovës”, tha Bektashi.

Për këto parregullsi eventuale që bëjnë kompanitë apo institucionet financiare, ekziston Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës, që është  krijuar në bazë të Ligjit mbi Konkurrencën. Ky ligj ndalon te gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës ne treg.

Në bazë të këtij ligji, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro, për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro, për kompani.