Pritet kthim masiv i emigrantëve

Gjermania, Austria dhe Zvicra pritet të bëjnë së shpejti kthime masive të emigrantëve kosovarë të ikur muajve të fundit, ndërsa shpenzimet e udhëtimit do të detyrohet t’i heqë Qeveria e Kosovës. 

Lajme

09/01/2015 08:04

Sipas burimeve të gazetës Koha Ditore, tashmë Ambasada e Kosovës në Gjermani ka kontaktuar me aviokompani, të cilave iu ka kërkuar të bëjnë oferta në lidhje me transportimin e emigrantëve nga Gjermania në Kosovë.

Oferta është kërkuar të bëhet për një mijë emigrantë.

“Ambasada ka komunikuar me disa aviokompani nga të cilat ka kërkuar të dijë se cila është kostoja për kthimin me avionë të një mijë emigrantëve. Nuk e di nëse është përzgjedhur kompania, por dihet se fatura do të paguhet nga Buxheti i Kosovës”, ka thënë ky burim.

Paralajmërimin për kthim masiv e ka dhënë gjatë ditës edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelina Viets. Në një ligjëratë para studentëve në Prishtinë, ajo ka paralajmëruar se emigrantëve kosovarë që kanë kërkuar azil në Gjermani do t’u refuzohet qëndrimi dhe do të kthehn.

“Numri i kosovarëve që marrin rrugën për në Perëndim si azilkërkues është rritur në mënyrë dramatike. Nuk do të pranohen. Çështjet ekonomike nuk janë arsye për azil. Norma e mospranimit është 100 për qind. E vetmja mënyrë qëndrimi është vetëm nëse keni leje pune”, ka thënë ambasadorja Viets.