Pritet hartimi i “Listës Rajonale të Personave të Zhdukur”

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, ka pritur sot Drejtorin e Programeve për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Matthew Holliday,

Lajme

11/10/2017 19:36

Me këtë rast është diskutuar mbi procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur si dhe shqyrtimin e mundësive për intensifikimin e bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithë akterëve të përfshirë në këtë proces, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

Po ashtu, është diskutuar edhe rreth nismës rajonale të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, për hartimin e një ‘Liste Rajonale të Personave të Zhdukur’, gjegjësisht Bazën e të Dhënave të rasteve aktive të personave të zhdukur si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi. Gjatë takimit, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka ndarë të dhënat minimale të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, me qëllim të përfshirjes në Bazën e të Dhënave Rajonale të rasteve aktive të personave të zhdukur.

Kryetari i Komisionit, Prenkë Gjetaj, theksoi se ‘në përputhje me legjislacionin e Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bashkëpunon me organizatat vendore dhe ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre, e po ashtu, Komisioni shkëmben me organizatat përkatëse shtetërore të dhënat nga Regjistri Qendror për qëllim të gjurmimit, identifikimit ose gjetjes së mbetjeve mortore. Dhe me këtë rast, presim që edhe kjo nismë rajonale t’i kontribuon intensifikimit të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, me qëllimin parësor që familjet e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur’.

Drejtori i Programeve për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Matthew Holliday, me rastin e pranimit të të dhënave të personave të zhdukur, të dorëzuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, theksoi ‘se vendimi i Komisionit të Kosovës për Persona të Zhdukur që t’i parashtrojë të dhënat për përfshirje në Bazën e të Dhënave të rasteve aktive të personave të zhdukur nga konfliktet e armatosura në ish-Jugosllavi, është një hap i madh përpara në aspektin e bashkëpunimit rajonal në procesin e kërkimit edhe të rreth 12 000 personave që ende mungojnë. Baza e të Dhënave do të sigurojë ndarjen transparente të të dhënave mbi rastet aktive të personave të zhdukur midis institucioneve kompetente në Ballkanin Perëndimor dhe kështu t’i ndihmojë ata të zgjidhin më shumë raste dhe të përmbushin detyrimet e tyre ndaj mijëra familjeve të të zhdukurve që janë ende në kërkim të më të dashurve të tyre.’