Pritet funksionalizimi i shpejtë i Fondit Garantues për Kredi

Ky fond ka për qëllim lehtësimin e qasjes në kredi për bizneset që nuk kanë hipotekë të mjaftueshme për kredimarrje.

Lajme

14/08/2014 18:46

Valdrin Lluka, drejtor i përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë( KIESA), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tha për Radion Evropa e Lirë se një ndër sfidat kryesore të bizneseve në Kosovë mbetet qasja në financa dhe ky fond do ta lehtësojë barrën e tyre.

“Ky fond parasheh që t’i ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme me kredi deri në 250 mijë euro. Si funksionon Fondi? Bankat e kanë prapë në pronësi procesin e selektimit të kredimarrësve. Por, në shumicën e rasteve, bizneset e vogla dhe të mesme nuk po kanë hipotekë të mjaftueshme për t’i ofruar bankës për ta marrë një kredi. Dhe, si rezultat, ne hyjmë për t’i ndihmuar ato kompani që nuk kanë hipotekë të mjaftueshme. Fondi do të mbulojë nga 50 deri në 75 për qind të hipotekës-pengut”, shpjegon Lluka.

Lluka thotë se do të mundohen ta mbulojnë çdo sektor dhe të mos ketë ndonjë diskriminim për sektorë të caktuar.

“Kjo parasheh çdo biznes, normalisht që për ne preferencë do të ishte prodhimtaria, por çdo biznes që ka vështirësi në qasjen në financa, do të thotë se mund të jetë edhe kompani shërbyese. Sidomos kompanitë shërbyese kanë probleme me pengun, për shkak se nuk kanë asete të mjaftueshme për të lënë si garanci në bankë. Do të favorizojmë bizneset që kanë të punësuar një numër më të madh të gjinisë femërore apo ato që kanë të punësuar nga minoritete të ndryshme, në mënyrë që ata të jenë të barabartë në treg”, tha Lluka.

Ai tregon se bankat komerciale do të kërkojnë nga Fondi Garantues garantimin e kredive për bizneset që ata i konsiderojnë se kanë biznes të qëndrueshëm, por që mund të hasin në ndonjë problem financiar.   

Përfaqësues të komunitetit të biznesit e mirëpresin funksionalizimin e këtij fondi.

Agim  Shahini, udhëheqës në Aleancën Kosovare të Biznesit, e konsideron lajm të mirë. Megjithatë, ai thotë se kjo varet nga funksionalizimi i institucioneve të reja dhe prioritetet që do të kenë ato në agjendën e tyre.

Qeveria e Kosovës në këtë fond ka kontribuar me 3 milionë euro, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar(USAID) ka ndarë rreth 5 milionë euro, kurse me shuma më të vogla kanë kontribuar edhe agjenci tjera ndërkombëtare.