Priten njohje nga Lesoto e Zambia

Në kuadër të takimeve në margjina të Samitit Franko- Afrikan në Paris, Ministri Hoxhaj takoi zyrtarët e qeverisë së Lesotos dhe Zambias. Ai pret që këto shtete ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës.

Lajme

06/12/2013 14:48

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj është ndarë optimist nga dy takime që ka zhvilluar sot në Paris me zyrtarë të lartë të qeverive të Lesotos dhe Zambias.

Hoxhaj, i cili po merr pjesë në Samitin vjetor Franko-Afrikan që po zhvillohet në Pariska zhvilluar një sërë takimesh lobuese me zyrtarë të lartë dhe delegacione të shteteve afrikane që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë paradites, ministri Hoxhaj ka takuar një delegacion të gjerë të Zambias, të udhëhequr nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësministri i Jashtëm, me të cilët ka biseduar për njohjen e Kosovës dhe ecurinë e marrëdhënieve të tjera ndërmjet dy vendeve që do të pasonin pas njohjes së Kosovës.

“Njohja ndërkombëtare e Kosovës është proces i pakthyeshëm. Kjo u dëshmua edhe nga ky takim dhe biseda të tjera me delegacione të shteteve afrikane në këtë Samit, të cilët e kanë kuptuar që Kosova si shtet i pavarur dhe sovran po e rrit nga dita në ditë numrin e njohjeve dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Dhe unë pres që në një të ardhme të afërt këto vende të lëvizin drejt njohjes”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri i Zambias, Edgar Lungu, ka siguruar kryediplomatin kosovar se Qeveria e tij është shumë mirë e informuar për aspiratat dhe kërkesat e Kosovës, duke premtuar njëherësh që njohja të jetë prioriteti kryesor.

Në fushatën lobuese, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim miqësor dhe shumë produktiv me ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa, ku kanë diskutuar për zhvillimet në fundit në Kosovë dhe për Kosovën.

Në frymën e qasjes së re të vendeve afrikane ndaj Kosovës, edhe ministri i Jashtëm i Lesotos ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për të arriturat e Kosovës duke respektuar të drejtën për të qenë shtet i pavarur dhe i njohur nga të gjitha vendet e botës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka shfrytëzuar takimet për t’i shprehur ngushëllimet dhe solidarizimin e tij, të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, për vdekjen e liderit Nelson Mandela.

Pas takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e lartë të shteteve afrikane në Paris, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka dhënë edhe disa intervista për medie të ndryshme afrikane.

Këto takime vijnë pas një fushate intensive kontaktesh të ministrit Hoxhaj me zyrtarë të lartë të këtyre vende gjatë këtij viti.