Priten ndërprerje të papritura të furnizimit me energji elektrike

Qytetarët e Kosovës, do të përballen sot me reduktime të furnizimit me energji elektrike, si pasojë e ndërprerjes së prodhimit në Termocentralin “Kosova B”.

Lajme

02/07/2016 13:18

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga KESCO, të cilën kanë sqaruar se ndërprerjet e rrymës do të jenë minimale.

Sipas këtij njoftimi, ndërprerjet bëhen pasi që ky termocentral ka bërë ndërprerje të paparashikuar të prodhimit.

“KESCO informon se sot në mëngjes, njësia B2 e termocentralit Kosova B është ndalur në mënyrë të paplanifikuar, një ditë para ndaljes për mirëmbajtje të planifikuar”.

“ Por, sidoqoftë pritet që sistemi të jetë plotësisht funksional nga ora 13:00. B2 prodhon më tepër se 30 për qind të tërë energjisë elektrike në vend dhe çdo ndalje e paplanifikuar shkakton në aspektin afatshkurtër probleme me furnizim”.

“KESCO ka reaguar menjëherë dhe e ka siguruar energjinë elektrike të nevojshme, por derisa të bëhet efektiv kërkon kohë për shkak të procedurave ndërkombëtare”, thuhet në këtë njoftim, transmeton lajmi.net.

Ndërsa, siç thuhet në njoftim, KESCO ka bërë të gjitha përgatitjet që konsumatorët të mos mbesin pa furnizim me rrymë.

“Kjo është arsyeja që për një kohë të shkurtër, konsumatorët mund të përballen me ndërprerje minimale. Në këto rrethana, KESCO ka bërë gjithçka që të furnizojë sa më mirë konsumatorët”.

“KESCO kërkon ndjesë nga konsumatorët, por kjo ka ndodhur si rezultat i reduktimit të paplanifikuar të prodhimit që nuk është nën kompetencat e KEDS/KESCO-s”./lajmi.net